Udhëtarët që kalojnë nëpër pikat kufitare të Ballkanit mund të informohen tashmë edhe në gjuhën shqipe për kohën e pritjes dhe gjendjen e kolonave, përmes platformës online Balkan Borders, shkruan albinfo.ch.
Platforma është krijuar nga inxhinieri 30-vjeçar Andrej Janev, i cili thotë se idenë për këtë shërbim e zhvilloi nga përvoja e tij personale, pasi gjatë udhëtimeve nëpër Ballkan i duhej të kërkonte në burime të ndryshme në internet për të kuptuar se sa kohë mund të priste në kufi.
Sipas informacioneve të bëra publike nga themeluesi, Balkan Borders mbulon 91 pika kufitare dhe ofron të dhëna për kohën e pritjes, burimin dhe orën e leximit të informacionit, si dhe qasje në kamera kufitare dhe raportime nga shoferët. Të dhënat përditësohen çdo orë, ndërsa platforma është e disponueshme në gjashtë gjuhë, përfshirë shqipen, shkruan tutje albinfo.ch.
Ky shërbim mund të jetë veçanërisht i dobishëm për bashkatdhetarët që udhëtojnë nga vendet e Evropës Perëndimore drejt Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit, sidomos gjatë sezonit veror, festave të fundvitit dhe periudhave kur krijohen kolona të gjata në kufij.
Përmes platformës, udhëtarët mund të kërkojnë informacione për pika të caktuara kufitare, si Bajakovo – Batrovci, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, apo Bllacë – Hani i Elezit, në kufirin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Përveç përdorimit nga udhëtarët, Balkan Borders u ofron edhe mediave mundësinë që t’i integrojnë këto informacione në artikujt e tyre për gjendjen në kufij, përmes lidhjeve drejt pikave përkatëse ose një vegle digjitale (widget) që mund të vendoset në faqet e internetit.
Nisma synon ta bëjë më të lehtë qasjen në informacionet për trafikun kufitar dhe t’u ndihmojë udhëtarëve të planifikojnë më mirë rrugët e tyre, duke pasur parasysh se koha e pritjes mund të ndryshojë gjatë ditës.
Platforma mund të vizitohet në shqip, në adresën –https://www.google.com/goto?url=CAESbwHrOzAVS7vw6ubBatQCZnQLl3GEaKiLeY47Os9uFuYzyJrW_T_7hoGnsB_K4lyzye1tJ6pnUqmTibSgH3MjJCpqJKgmO4rt8nHnfinc609mAlDsvlQ3J5yrS1s8sSfnToEInwMVt1RiGngp5Stg3A
Bajakovo – Batrovci ose Bllacë – Hani i Elezit