“Çka ke qitë në dritë sot?”
Babai ia bënte këtë pyetje çdo mbrëmje, pa e anashkaluar asnjë. Nuk ishte pyetje sa për të thënë diçka; ai priste përgjigje konkrete. Vite më vonë, në Chicago, Jeta Zagragja gjeti një kulturë të tërë të ndërtuar mbi të njëjtën logjikë.
“Amerika është si një makinë gjithmonë në lëvizje, që të shtyn të prodhosh çdo ditë,” thotë ajo. “Nuk jam e sigurt nëse këtë e mësova atje, apo thjesht gjeta diçka që e kisha tashmë brenda vetes.”
Sot ajo drejton AnchorzUp, me rreth 40 profesionistë me orar të plotë dhe mbi 35 klientë në SHBA, Zvicër, Suedi, Australi e Kanada. Para saj kishte një kompani tjetër, të cilën e rriti nga pesë punonjës në rreth 95 dhe ia shiti një grupi investitorësh nga Chicago.
Kthimi si llogari, jo si sakrificë
Largimi nga Kosova nuk kishte të bënte me ëndrrën amerikane. Pas studimeve në RIT vazhdoi MBA-në në Chicago me një qëllim të matur: të shihte si qëndronte në një treg shumë më të madh dhe më konkurrues se ai që njihte.
Kthimi erdhi me të njëjtën qasje. “Nuk e kam parë kthimin si sakrificë, por si vendim racional,” thotë ajo. “E njëjta punë që do të bëja në Amerikë ka këtu ndikim shumë më të madh.” Filloi te Gjirafa, vazhdoi te Cacttus. Sfida e vërtetë, thotë, nuk ishte përshtatja e standardeve amerikane me realitetin kosovar, por ruajtja e tyre brenda Kosovës.
Nga pesë në nëntëdhjetë e pesë
Në UCX hyri si partnere me ekuitet në fazë të hershme. Kompania u rrit nga pesë punonjës në rreth 95 dhe u shit në vitin 2021.
Vendim magjik nuk pati. Pati pasiguri investimi, klientë ndërkombëtarë për t’u fituar dhe struktura që duheshin krijuar nga e para. Mësimi më i rëndësishëm erdhi nga aty.
“Suksesi nuk është me i bë të gjitha vet. Suksesi është me ndërtu një sistem që funksionon edhe kur ti s’je aty. Në fillim ne ndërmarrësit jemi gjithçka: menaxherë, dizajnerë, shitës, psikologë. Por me kohën, mësimi më i madh është “to let go”.”
Shitja, thotë ajo, ishte para së gjithash konfirmim: nga Kosova mund të ndërtohet një kompani që një grup investitorësh nga Chicago e vlerëson dhe e blen.
Dy fillime njëkohësisht
Pak javë pas shitjes, bashkë me bashkëthemeluesin Lumin, nisi AnchorzUp. Gjashtë anëtarë të ekipit të vjetër u bashkuan me ta.
Në të njëjtën periudhë u bë nënë për herë të parë. “Dy startupe në jetë, njëra biologjike, tjetra profesionale,” thotë ajo. “Pushimi nuk ishte opsion që më tërhiqte.”
Problemi që zgjidh kompania nuk është mungesa e talentit, por e kapacitetit të menaxhuar. Klientët rriten më shpejt sesa arrijnë të punësojnë. AnchorzUp u dorëzon ekipe të gatshme, të rekrutuara dhe të menaxhuara prej saj, jo emra në një listë.
PWRBALLJA ME PARAGJYKIME
Bindja e një klienti të huaj se një ekip nga Kosova ofron të njëjtën cilësi mbetet pjesa e vështirë. “Ka paragjykime, mungesë njohurie për Kosovën, shqetësime për stabilitetin. Klientët nuk na vijnë lehtë.”
Ajo e krahason punën me bujqësinë. Ndër vite ka investuar në marrëdhënie e jo në transaksione, dhe shumë ura i ka ndërtuar para se kompania të ekzistonte. “Frytet nuk vijnë menjëherë, por kur vijnë, krijojnë partneritete të qëndrueshme.”
E vetmja grua në tavolinë
Shpesh ka qenë e vetmja grua në takim dhe më e reja në tavolinë. Paragjykimin e ka ndier më së shumti në supozimin se pas saj duhet të ketë një burrë që e bën pjesën e vështirë.
E ka kundërshtuar me rezultate, jo me ankesa. “Nuk kërkoj favore se jam grua. Dua të vlerësohem për rezultatet, për cilësinë e punës, për mënyrën si udhëheq.”
Epilog
Mesazhi i saj për ata që janë në fillim të rrugës është i thjeshtë: të nisin dhe të mësojnë gjatë procesit, pa lejuar që frika të vendosë për ta. Jeta këshillon të rinjtë që të mos presin dikë t’ua hapë rrugën, por ta ndërtojnë vetë atë, duke kërkuar ndihmë kur u nevojitet dhe duke krijuar një rreth njerëzish mbështetës.
“Mos u ndalni edhe kur mendoni se askush nuk po ju vëren. Gëzojuni sukseseve të vogla, sepse ato ju japin energji për të vazhduar, ndërsa refuzimin mos e merrni personalisht — është pjesë e procesit”.
Në vend të shqetësimit se ku do të jenë pas dhjetë vjetësh, ajo sugjeron atë që e quan “microambition”: përqendrimin te hapi i radhës. “Shikoni çfarë keni sot përpara — një problem, një projekt apo një mundësi — dhe bëni më të mirën. Rruga e gjatë ndërtohet duke parë një hap përpara, jo një kilometër më larg.”
Lexoni po ashtu:
Ura digjitale mes Kosovës dhe Zvicrës: Si bashkëpunimi me ekipe të jashtme po krijon vlerë

