Skip to content

Disa kategori të qytetarëve të Kosovës në diasporë lirohen nga tarifat për pasaportë dhe letërnjoftim

Vendimi i MPJD-së ka hyrë në fuqi më 14 tetor 2026 dhe përfshin invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe personave të zhdukur, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe kategori të tjera.

Disa kategori të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të lirohen nga pagesa e tarifave për aplikim për pasaportë dhe letërnjoftim, bazuar në një vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), i cili ka hyrë në fuqi më 14 tetor 2026, transmeton albinfo.ch.

Për këtë lehtësim kanë njoftuar disa përfaqësi diplomatike dhe konsullore të Kosovës, përfshirë Ambasadën në Itali dhe Slloveni, si dhe Konsullatën e Përgjithshme në Cyrih të Zvicrës dhe atë në Stamboll të Turqisë.

Nga lirimi i tarifave përfitojnë invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), familjarët e ngushtë të dëshmorëve dhe personave të zhdukur të UÇK-së, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, personat me aftësi të kufizuara të kategorizuar sipas legjislacionit në fuqi, si dhe personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Sipas njoftimit, lirimi nga pagesa vlen për procedurën e rregullt të aplikimit për pasaportë dhe letërnjoftim.

Qytetarët që i përkasin kategorive të përfshira në këtë vendim mund të informohen pranë përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Kosovës për dokumentacionin e nevojshëm dhe mënyrën e përfitimit nga ky lehtësim./Albinfo.ch