Skip to content

Sulmi kibernetik në Zvicër, në rrezik mund të jenë edhe agjentët sekretë

Një sulm kibernetik ndaj një kompanie që ofron shërbime softuerike për fondin federal të pensioneve Publica ka ngritur shqetësime në Zvicër, pasi të dhënat e vjedhura mund të rrezikojnë edhe identitetin e pjesëtarëve të shërbimeve të inteligjencës që veprojnë jashtë vendit.

Sipas gazetës zvicerane SonntagsBlick, qeveria federale e konsideron incidentin serioz. Ndër institucionet që mund të preken janë Shërbimi Federal i Inteligjencës (NDB), ushtria dhe Zyra Federale e Policisë (Fedpol).

Ekziston frika se të dhënat e vjedhura mund të kombinohen me informacione nga rrjetet sociale dhe burime të tjera për të identifikuar agjentët që operojnë në fshehtësi jashtë vendit. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar se çfarë të dhënash janë komprometuar.

Sulmi mund të rrezikojë edhe punonjësit e tjerë federalë dhe pensionistët, pasi të dhënat pensionale mund të përmbajnë informacione personale, adresa dhe të dhëna financiare, të cilat mund të keqpërdoren për vjedhje identiteti ose shantazh.

Publica ka krijuar një ekip krize, ndërsa Prokuroria Federale po heton rastin. Sipas raportimeve, hetimet për përcaktimin e të dhënave të prekura dhe numrit të personave të rrezikuar mund të zgjasin disa javë ose muaj.