Kosova po synon të zgjerojë më tej kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me fokus te mbrojtja ajrore, sigurimi i helikopterëve dhe rritja e kapaciteteve ushtarake, përcjell albinfo.ch.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se komandanti i FSK-së i ka adresuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkesën për të diskutuar mundësinë e blerjes së helikopterëve. Sipas tij, procedurat për këtë blerje do të zhvilloheshin përmes programit amerikan FMS, në kuadër të të cilit Departamenti Amerikan i Luftës administron proceset përkatëse të prokurimit.
Maqedonci theksoi se një nga prioritetet e ardhshme të Kosovës është zhvillimi i mbrojtjes ajrore dhe mbrojtja e hapësirës ajrore nga sulmet e mundshme. Për këtë çështje, sipas tij, institucionet kosovare janë duke bashkëpunuar me partnerët amerikanë.
FSK-ja ka shtuar sistemet e armatimit
Ministri bëri të ditur se gjatë tre-katër viteve të fundit Kosova ka investuar në sisteme të ndryshme të armatimit, përfshirë katër lloje të sistemeve antitank, mortaja, automjete ushtarake dhe sisteme mobile të artilerisë.
Përveç zgjerimit të pajisjeve ushtarake, FSK-ja ka krijuar edhe njësi të reja, mes tyre njësinë për operacione speciale dhe atë për fluturake pa pilot. Sipas Maqedoncit, këto kapacitete janë zhvilluar duke u bazuar në nevojat aktuale të sigurisë dhe jo vetëm në planifikimet e mëparshme të tranzicionit.
Ai tha se plani gjithëpërfshirës i tranzicionit, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 2018, ishte hartuar mbi bazën e një analize të rreziqeve të vitit 2014. Për këtë arsye, zhvillimi i mëtejshëm i FSK-së po përshtatet me rrethanat dhe nevojat e reja të mbrojtjes.
530 pjesëtarë të rinj, drejt objektivit prej 5.000 aktivësh
FSK-ja është duke rekrutuar edhe 530 pjesëtarë të rinj, të cilët, sipas ministrit, po përfundojnë trajnimin në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.
Ky rekrutim synon përmbushjen e numrit prej 5.000 pjesëtarësh aktivë, të paraparë në planin e tranzicionit.
Maqedonci vlerësoi se deri në vitin 2028 FSK-ja do të jetë e përgatitur për mbrojtjen e territorit të Kosovës, por theksoi se zhvillimi i kapaciteteve ushtarake do të vazhdojë edhe pas këtij afati.
Paralelisht me ushtrinë profesionale, Kosova synon të zhvillojë një sistem të mbrojtjes gjithëpërfshirëse, ku qytetarët dhe institucionet do të kenë role të caktuara në përballimin e situatave të krizave, përfshirë edhe fatkeqësitë natyrore.
Maqedonci: Serbia ka 48 baza pranë kufirit me Kosovën
Duke folur për situatën e sigurisë, ministri e vlerësoi atë si të qëndrueshme, duke përmendur punën e Policisë së Kosovës, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
Megjithatë, ai shprehu shqetësim për kapacitetet ushtarake të Serbisë dhe praninë e forcave të saj pranë kufirit me Kosovën.
Sipas Maqedoncit, Serbia ka 48 baza të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë në territorin e saj, në një distancë prej rreth 500 metrash deri në pesë kilometra nga vija kufitare me Kosovën. Ai tha se institucionet kosovare e kanë ngritur këtë çështje edhe me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ministri gjithashtu deklaroi se tri nga katër brigadat e ushtrisë serbe janë të vendosura në pjesën jugore të Serbisë, përkatësisht në zonat e Rashkës, Nishit dhe Vranjës. Ai përmendi edhe blerjen e armatimit të avancuar nga Kina, përfshirë raketa hipersonike, si një tjetër element shqetësues për sigurinë rajonale.
Maqedonci tha se Kosova do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, me synimin që FSK-ja dhe institucionet e tjera të sigurisë të jenë në gjendje të mbrojnë territorin dhe qytetarët e vendit./Albinfo.ch