Në një fshat të Zvicrës franceze, në kantonin Jura, shtëpia e parë e ndërtuar nga GreenHouse qëndroi për një kohë e vetme mes parcelave të zbrazëta. Banorët afër zonës e panë duke u ngritur, të përfunduar dhe pastaj të banuar.
Me kohë, parcelat përreth filluan të mbusheshin, njëra pas tjetrës, me shtëpi që dilnin nga e njëjta fabrikë — një fabrikë që nuk ndodhej aty afër, por në një fshat pranë Pejës së Kosovës.
“Përgjigjen më të mirë ndaj skepticizmit nuk e kanë dhënë fjalët tona, por vetë shtëpitë,” thotë Nazmi Mehmetaj. “Një projekt u bë referencë për tjetrin dhe një klient i kënaqur na solli klientin e radhës.”
Sot më shumë se 800 familje në mbarë Evropën jetojnë në shtëpi të prodhuara në Kosovë nga GreenHouse. Tregjet më të forta janë Zvicra dhe Gjermania, por kompania ka ndërtuar deri në Islandë. Fabrika e re në Zahaq shtrihet në rreth 12 mijë metra katrorë, funksionon me panele solare dhe prodhon një shtëpi në ditë brenda një turni.
Dhjetë vjet më parë ishin pesë veta në një hapësirë që, siç e pranon vetë Mehmetaj, “vështirë se mund të quhej fabrikë”.
Gjashtë javë nga vendimi te prodhimi
Mehmetaj dhe Rexhepaj janë familjarë. Besimin mes tyre nuk iu desh ta ndërtonin, sepse e kishin prej vitesh. Ajo që u desh të sqarohej ishte diçka tjetër: kush do të bënte çfarë.
Mehmetaj kishte përvojë në financa, organizim dhe shitje; Rexhepaj e njihte ndërtimin nga brenda, nga vija e parë në plan e deri te dorëzimi i çelësit. Vendimi u mor në momentin kur u qartësua ndarja: Rexhepaj do të zhvendosej në Kosovë për ta ngritur prodhimin, ndërsa Mehmetaj do të mbante klientët dhe tregun nga Zvicra.
“Premë biletat, filluam përgatitjet dhe vetëm një muaj e gjysmë më vonë nisëm prodhimin,” thotë Mehmetaj.
Nga gjithë këto dhjetë vjet, atë hap të parë ai e quan më të pabesueshmin — jo fabrikën që erdhi pas tij, por vendimin për ta lënë pas sigurinë e ndërtuar në Zvicër.
“Në vitin 1992 po largohesha për të kërkuar një të ardhme. Në vitin 2015 po kthehesha për të ndërtuar një të ardhme në Kosovë.”
Nazmi Mehmetaj: Dy rrugë, një pikë takimi
Mehmetaj u largua nga Kosova në vitin 1992, ende gjimnazist. Babai ndodhej në Zvicër, kështu që nuk ishte krejtësisht vetëm, por gjuha dhe mënyra e jetesës ishin të reja. Largimin e quan edhe sot më të vështirë se kthimin.
Rexhepaj emigroi në fund të vitit 2006, por nuk po niste nga e para: me ndërtimtari merrej në Kosovë që nga viti 1997, dhe në Zvicër vetëm u njoh me standardet e atij tregu. Në vitin 2009 themeloi ndërmarrjen e vet dhe shpejt filloi të konkurronte me kompani që kishin dekada përvojë.
Provën më të fortë se modeli funksiononte e dha një projekt që nuk ishte shtëpi. Në vitin 2017 GreenHouse ndërtoi në kantonin Jura — po atje ku kishte ngritur shtëpinë e parë — një fabrikë orësh luksoze prej rreth 4 mijë metrash katrorë. Mundësia erdhi përmes një shoku fëmijërie të Mehmetajt, po ashtu kosovar, që pati besim te dyshja.
“Mund ta quaj një lloj infuzioni për zhvillimin tonë,” thotë Mehmetaj. Projekti nuk kishte vetëm rëndësi ekonomike: dëshmoi se ekipi në Kosovë përballonte standarde të larta.
Kapitali që nuk ishte para
Fillimi në Radavc solli një problem që nuk zgjidhej me para. Ndërtimi i parafabrikuar ishte pothuajse i panjohur në Kosovë, dhe staf i kualifikuar për të, thjesht, nuk ekzistonte.
Rexhepaj nisi punën me njerëz nga profesione krejt të tjera dhe i trajnoi vetë. Sot pikërisht ai grup udhëheq prodhimin dhe përgatit të rinjtë që i bashkohen kompanisë — një nga arritjet për të cilat Mehmetaj thotë se ndihet veçanërisht krenar.
Pengesa e dytë ishte financiare, por jo ajo që duket në shikim të parë. Si kompani e re nga Kosova, GreenHouse nuk kishte histori bashkëpunimi me furnitorët evropianë, kështu që materialet duheshin paguar javë përpara dorëzimit dhe i gjithë cikli varej nga paradhëniet.
Klientët e parë paguan një pjesë të shumës për shtëpi që ende nuk ekzistonin, prodhuar nga një kompani që ende nuk kishte emër.
“GreenHouse nuk u rrit vetëm falë kapitalit financiar, por edhe falë një kapitali tjetër po aq të rëndësishëm: besimit të klientëve të parë.”
Nazmi Mehmetaj
Nga punishtja te linja industriale
Në vitin 2017 kompania prodhonte rreth 20 shtëpi në vit për familje zvicerane. Radavci kishte mjaftuar për ta nisur punën, jo për ta mbajtur. “Po ta them me pak humor, e kuptova që në ditën kur e hapëm se ky vend ishte I vogël për ne,” thotë Rexhepaj.
Me rritjen e porosive u bë e qartë se përshtatjet nuk mjaftonin. Nevoja nuk ishte për më shumë metra katrorë, por për një mënyrë krejt tjetër organizimi: linja moderne, procese të standardizuara dhe prodhim në shkallë industriale.
Fabrika e re në Zahaq është investim shumëmilionësh: objekti, teknologjia e prodhimit, infrastruktura dhe një sistem me panele solare — kjo e fundit jo zgjedhje estetike, por domosdoshmëri në një vend ku energjia mbetet e paqëndrueshme.
Kur e panë sipërfaqen e re, ia thanë njëri-tjetrit me shaka se do t’u mjaftonte deri në pension. Disa muaj pas nisjes së prodhimit, hapësira kishte filluar t’u ngushtohej.
Sot GreenHouse ka mbi 40 punëtorë. Me dy turne shtesë, që Rexhepaj i pret së shpejti, numri do të trefishohej. Në disa vende të Evropës kompania po realizon objekte banimi me nga 12, 15 dhe 18 njësi.
Kur origjina pushon së qeni pyetje
Në fillim, ideja që një shtëpi për tregun zviceran të prodhohej në Kosovë ngjallte pikëpyetje. Rexhepaj nuk e mohon skepticizmin. “Klienti nuk bindet vetëm me fjalë apo me një prezantim të mirë,” thotë ai. “Besimi fitohet me cilësinë e punës, respektimin e standardeve dhe afateve, transparencën gjatë gjithë procesit dhe përkushtimin pas dorëzimit të projektit.”
Mehmetaj e sheh si aritmetikë: një kompani e re nga Kosova kishte më pak hapësirë për gabime, prandaj konkurrenca nuk mund të bëhej vetëm me çmim.
“Kur projekti i parë përfundon me sukses, origjina e produktit pushon së qeni pikëpyetje dhe cilësia bëhet argumenti kryesor,” thotë Rexhepaj. Lagja në Jura është dëshmia më e drejtpërdrejtë e kësaj.
Çmimi
Pengesat që emërton Rexhepaj janë strukturore dhe nuk varen prej tyre: mungesa e shkollave profesionale dhe, si pasojë, e fuqisë punëtore të kualifikuar; procedurat burokratike; dhe furnizimi i paqëndrueshëm me energji elektrike. Për një proces industrial, thotë ai, stabiliteti energjetik nuk është luks, por kusht.
Këto sfida i dinin që në fillim. Përgjigjja ishte praktike: trajnim i stafit brenda kompanisë, organizim i proceseve dhe panele solare mbi çati.
Kostoja tjetër nuk shihet në asnjë fotografi të fabrikës. Mehmetaj e emërton pa zbukurime — koha që nuk ua kushtuan fëmijëve, dhe barra që e mbajtën bashkëshortet e tyre. “Investimet mund të rikthehen, ndërsa koha me familjen jo.”
Rexhepaj ndërkohë sheh një përfitim nga kthimi në Kosovë. Fitimi më i madh për të, si prind, është që fëmijët po rriten të lidhur drejtpërdrejt me vendin, gjuhën dhe familjen. “Kosova për ta nuk është vetëm një vend ku vijnë për pushime, por vendi ku mund ta ndërtojnë jetën.”
Epilog
Pyetjes se çfarë do t’i thoshte vetes së vitit 2015, Rexhepaj i përgjigjet pa hezitim: “Ecni edhe më shpejt dhe me më shumë guxim.” Shumë prej pengesave që në fillim duken të mëdha, thotë, kapërcehen sapo fillon veprimi.
Diasporës që ende heziton i thotë të mos vijë me iluzione, por as të udhëhiqet vetëm nga frika. “Mos prisni që çdo kusht të bëhet i përsosur, sepse zhvillimi nuk ndodh duke pritur.”
Për të dy, kompania nuk mat vetëm shtëpi. Mat një pyetje më të madhe: a mund të prodhohet nga Kosova diçka që Evropa e blen pa e vënë në dyshim origjinën. Përgjigjja, thonë, qëndron në 800 adresa evropiane.
“Kudo që jetoni, shtëpinë e keni nga Kosova.”
GREENHOUSE NË SHIFRA
| 2015 | Kthimi në Kosovë dhe nisja e prodhimit, gjashtë javë pas vendimit |
| 5 | Punëtorët e ditës së parë, në punishten e Radavcit |
| 800+ | Familje evropiane që sot jetojnë në shtëpi GreenHouse |
| 12.000 m² | Sipërfaqja e fabrikës së re në Zahaq, me panele solare |
| 1 / ditë | Kapaciteti aktual i prodhimit brenda një turni |
| 40+ | Të punësuar sot; deri në trefish me dy turne shtesë |
| 12–18 | Njësi banimi për objekt në projektet aktuale evropiane |
| Jura → Islandë | Nga lagjja e parë zvicerane te pika më veriore e arritur |
Të dhënat janë sipas rrëfimit të themeluesve.





