Ndryshimet parashikojnë thjeshtimin e procedurave administrative për vlerësimin e kualifikimeve të fituara në vende jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë. Qëllimi është të shkurtohet koha e nevojshme për njohjen profesionale dhe të zvogëlohen pengesat burokratike për personat që dëshirojnë të ushtrojnë profesionin në Gjermani.
Sipas Ministrisë Federale të Shëndetësisë së Gjermanisë, reforma synon që provimi i njohurive profesionale të bëhet rruga standarde për vërtetimin e kualifikimeve të aplikantëve nga vendet e treta, në vend të procedurave të gjata të krahasimit të dokumenteve dhe programeve të studimit, përcjell albinfo.ch.
Megjithatë, ndryshimet nuk nënkuptojnë njohje automatike të diplomave. Aplikantët do të vazhdojnë të duhet të dëshmojnë njohuritë e nevojshme profesionale, aftësitë gjuhësore dhe përmbushjen e kushteve të tjera ligjore për marrjen e lejes së ushtrimit të profesionit.
Reforma ka rëndësi të veçantë për profesionistët shëndetësorë nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët synojnë të punojnë në sistemin gjerman të shëndetësisë. Procedurat më të thjeshta mund t’ua lehtësojnë procesin e aplikimit, megjithëse secili kandidat do të vazhdojë t’i nënshtrohet kërkesave përkatëse të autoriteteve gjermane.
Ndryshimet kryesore ligjore parashikohen të hyjnë në fuqi më 1 nëntor 2026, ndërsa zbatimi i tyre do të bëhet nga autoritetet përgjegjëse për njohjen e kualifikimeve profesionale në Gjermani.