Ndryshimet klimatike do t’i kushtojnë Zvicrës miliarda në dekadat e ardhshme. Këtë e zbulon një studim i porositur nga Konfederata, i cili ka llogaritur dëmet deri në vitin 2060 sipas skenarëve të ndryshëm klimatikë.
Studiuesit analizuan tre skenarë: njërin ku shtetet zbatojnë masa të rrepta për mbrojtjen e klimës, një të ndërmjetëm me ndërhyrje të moderuara dhe një tjetër ku temperaturat rriten pothuajse pa kufizime. Për secilin prej tyre u vlerësuan pesë rreziqe klimatike.
“Kemi marrë në shqyrtim rreziqet më të rëndësishme për Zvicrën. Bëhet fjalë kryesisht për valët e të nxehtit dhe thatësirat,” shpjegon për SRF-në Raphael Bucher, kreu i politikave klimatike në Zyrën Federale për Mjedisin. Këtyre u shtohen edhe ngritja e kufirit të reshjeve të borës, reshjet e dendura të shiut, si dhe stuhitë e breshëri.
Megjithatë, studimi nuk i përfshin të gjitha rreziqet që lidhen me klimën. Studiuesit nuk i kanë modeluar ndërvarësitë midis rreziqeve të ndryshme. “Është e mundur që rreziqet të përforcojnë njëri-tjetrin. Studimi nuk mund ta mbulojë këtë aspekt,” pranon Bucher, shkruan RSI. Prandaj, kostot e përgjithshme të ndryshimeve klimatike në Zvicër mund të jenë dukshëm më të larta sesa ato që dalin nga ky hulumtim.
Sportet dimërore: dëme në vlerë miliardash
Turizmi dimëror do të pësojë humbje vjetore prej më shumë se dy miliardë frangash deri në vitin 2060. Studimi parashikon se qendrat e skive që ndodhen nën 1.500–1.800 metra mbi nivelin e detit, herët a vonë do të duhet të mbyllen për shkak të mungesës së borës, madje edhe në skenarin klimatik më të favorshëm.
“Vendndodhjet në lartësi më të mëdha do të jenë në gjendje t’i presin këta skiatorë. Ato mund të përshtaten me ndryshimet klimatike. Por kostot e përshtatjes janë natyrisht të larta, veçanërisht në rajonet alpine,” thotë Bucher.
Do të jetë e nevojshme të stabilizohen stacionet e teleferikëve dhe të menaxhohen sistemet për prodhimin e borës artificiale, përcjell albinfo.ch.
Bujqësia: nevojitet ujë i mjaftueshëm
Për bujqësinë, përllogaritjet janë më të favorshme. Dëmet ekonomike mund të mbeten të kufizuara, veçanërisht nëse bëhen investime të mjaftueshme në sistemet e ujitjes. Megjithatë, Bucher thekson se ky rezultat nuk duhet interpretuar si një “dritë jeshile” pa rezerva: “Mund të thuhet se bujqësia, me kusht që të ketë ujë të mjaftueshëm, mund të përshtatet me ndryshimet klimatike, veçanërisht përmes masave të ujitjes – pa pësuar humbje të mëdha ekonomike”.
Energjia hidroelektrike: më shumë energji në dimër
Prodhimi i energjisë hidroelektrike mund të përfitojë madje paksa. Ndonëse periudhat e thatësirës do të bëhen më të shpeshta, veçanërisht gjatë verës, në dimër – sipas skenarëve federalë për klimën – në Zvicër do të ketë më pak borë dhe më shumë shi. Centralet hidroelektrike do të duhet të investojnë në menaxhimin e reshjeve të dendura. Megjithatë, në përgjithësi, studimi parashikon një rritje të lehtë në prodhimin e energjisë hidroelektrike.
Studimi nuk sjell ndonjë surprizë të madhe. Ai tregon qartë se ku dhe deri në çfarë mase ia vlen të investohet në masa përshtatjeje, e ku jo – siç është rasti me qendrat e skive në lartësi më të ulëta.