Mbështetja financiare për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fazën e Apelit në Hagë pritet të përfshihet në buxhetin e Kosovës për vitin 2027, por shuma që do të ndahet ende nuk është përcaktuar, përcjell albinfo.ch.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës se fillimisht duhet të hartohet strategjia shtetërore, të përcaktohen mekanizmat e mbështetjes dhe të identifikohen nevojat konkrete, përpara se të llogaritet kostoja financiare.
Sipas tij, grupi punues i themeluar për këtë qëllim do të bashkëpunojë drejtpërdrejt me ekipet mbrojtëse, për të identifikuar nevojat për dokumentacion, ekspertizë profesionale dhe mbështetje institucionale.
“Ta kemi parasysh që së pari duhet strategjia shtetërore dhe më pastaj kostot. Njëherë vjen ideja, mekanizmat, masat e pastaj kostoja e tyre”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se në kuadër të strategjisë do të shqyrtohet edhe angazhimi i ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe sistemimi dhe analizimi i dokumentacionit historik, juridik dhe gjyqësor që mund të shërbejë për mbështetjen e ekipeve mbrojtëse.
Kryeministri ka bërë të ditur se grupi punues do ta informojë atë një herë në muaj për ecurinë e punës. Në përbërjen e tij parashihet të ketë përfaqësues të institucioneve qeveritare, zyrës së presidentes, Kryesisë së Kuvendit dhe grupeve parlamentare.
Hamza kërkon dekretimin e ligjit për Gjykatën Speciale
Në të njëjtën seancë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka vlerësuar si hap të mirë themelimin e grupit punues, duke kërkuar hartimin e një strategjie të mirëfilltë shtetërore për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e Apelit.
Hamza ka bërë thirrje edhe për dekretimin e ligjit për Gjykatën Speciale nga presidentja Justina Shiroka-Pula, duke thënë se mbrojtja e luftës së UÇK-së është përgjegjësi ndaj brezave që e kanë trashëguar lirinë.
Ai ka deklaruar gjithashtu se nismat ligjore të Kuvendit nuk duhet të jenë burim shqetësimi, por se vëmendja duhet të përqendrohet te trajtimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbështetur çdo veprim në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, duke i cilësuar të vonuara vendimet e Qeverisë lidhur me këtë çështje.
Haradinaj u ka bërë thirrje partive opozitare që të bashkohen në kundërshtimin e qeverisjes së Kurtit, ndërsa ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së aleancave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.
Pavarësisht diskutimeve në Kuvend, shuma konkrete e mbështetjes financiare për katër ish-krerët e UÇK-së ende nuk është bërë publike. Ajo pritet të përcaktohet pas punës së grupit dhe identifikimit të nevojave që do të përfshihen në buxhetin e vitit 2027./Albinfo.ch