Arti skenik dhe letërsia shqipe do të jenë në qendër të një mbrëmjeje kulturore në Vjenë, ku Baleti Kombëtar i Kosovës dhe shkrimtarja Mimoza Ahmeti do të prezantojnë krijimtarinë e tyre në kuadër të projektit “Fjalë e Lëvizje”, transmeton albinfo.at.
Aktiviteti synon të krijojë hapësirë për dialog dhe reflektim, duke e përdorur artin si mjet për ndërgjegjësim dhe luftimin e stigmatizimit të lidhur me sëmundjet.
Veprimtaria do të zhvillohet më 16 tetor 2026, në hapësirën kulturore Brunnenpassage në Vjenë, në bashkëpunim të Organizatës Kâ me Organizatën “Action for Health” dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri.
Një nga momentet kryesore të mbrëmjes do të jetë performanca “HOPE” e Baletit Kombëtar të Kosovës, e planifikuar nga ora 18:45 deri në 19:30. Përmes gjuhës universale të lëvizjes, kjo shfaqje synon të përcjellë mesazhe që lidhen me shëndetin publik dhe nevojën për të kapërcyer paragjykimet ndaj personave që përballen me sëmundje.
Programi do të vazhdojë me një orë letrare me shkrimtaren Mimoza Ahmeti, nga ora 20:00 deri në 21:00. Prania e saj i jep mbrëmjes një dimension të veçantë letrar, duke sjellë në vëmendje fuqinë e fjalës për të nxitur ndjeshmëri, mendim kritik dhe komunikim mes njerëzve.
Pritja e të ftuarve do të nisë në orën 18:30, ndërsa organizatorët e prezantojnë aktivitetin si një takim mes vallëzimit, fjalës dhe temave me rëndësi shoqërore.
Përmes këtij projekti, krijimtaria shqiptare bëhet pjesë e jetës kulturore të Vjenës, duke bashkuar artistë dhe publikun në një mbrëmje ku arti shërben jo vetëm për shprehje artistike, por edhe për të hapur diskutime mbi çështje që prekin shoqërinë. /Albinfo.at
Baleti i Kosovës sjell në Vjenë shfaqjen “HOPE” në mbështetje të luftës kundër kancerit të gjirit
