Skip to content

14-vjeçari qëllon me armë gjahu drejtorin dhe një mësuese në një shkollë në Francë

Dy anëtarë të stafit shkollor mbetën të plagosur në Aubagne, në jug të Francës. Adoleshenti kishte fshehur armën në një kuti kitare dhe u neutralizua nga një mësues.

Një nxënës 14-vjeçar ka hapur zjarr në një shkollë në qytetin Aubagne, në jug të Francës, duke plagosur drejtorin dhe një mësuese. I mituri qëlloi gjithashtu në drejtim të një mësuesi tjetër dhe brenda një klase, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar, përcjell albinfo.ch.

Sipas prokurorisë, drejtori dhe mësuesja pësuan lëndime në gjymtyrët e poshtme dhe u dërguan në spital. Adoleshenti, i cili ishte nxënës në këtë shkollë, dyshohet se e kishte futur armën e gjahut në ndërtesë të fshehur brenda një kutie kitare. Ai u neutralizua nga një anëtar i personelit mësimor.

Të paktën katër të shtëna, hetohet motivi

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, të shtënat e para u dëgjuan në korridorin e katit të parë. Më pas, 14-vjeçari u ngjit në katin e sipërm, ku qëlloi në dysheme në drejtim të një mësuesi. Ai hyri më pas në një klasë dhe qëlloi drejt tabelës, para nxënësve të pranishëm.
Në total, besohet se janë shkrepur të paktën katër plumba.

Prokuroria ka nisur hetimet për dyshimet mbi tentativën e vrasjes. Megjithatë, motivi i sulmit mbetet ende i paqartë. Autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me ngacmimin apo bullizmin, por deri më tani nuk ka një konfirmim për këtë pistë.
Sipas prokurores së Marsejës, Audrey Jouaneton, i mituri nuk ka dhënë shpjegime për arsyet e veprimit të tij, as gjatë sulmit dhe as pas ndalimit. Ai është përshkruar si i qetë.

Autoritetet kanë bërë të qartë gjithashtu se ngjarja nuk ka lidhje me protestat e fundit të nxënësve në Francë. Në shkollën ku ndodhi sulmi nuk kishte protesta apo bllokime.

Reagime të forta nga autoritetet franceze

Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, e cilësoi ngjarjen si një incident shumë të rëndë, duke theksuar tronditjen që ka shkaktuar te komuniteti shkollor, banorët e Aubagne dhe në mbarë vendin.

Ndërkaq, ministri i Arsimit, Édouard Geffray, kërkoi rikthimin e respektit të pakushtëzuar për shkollat dhe mësimdhënësit. Ai theksoi se ndalimi i dhunës ndaj mësuesve duhet të jetë një parim i patjetërsueshëm në familje, shoqëri dhe media.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, shprehu solidaritetin e tij me të prekurit. Ai vlerësoi reagimin e qetë dhe të përgjegjshëm të mësuesve, duke theksuar se ndërhyrja e tyre ndihmoi në parandalimin e pasojave edhe më të rënda. /Albinfo.ch