Një mbrëmje përplot emocione është pak të thuhet për mbrëmjen e mbajtur ditë më parë në bibliotekën Pesalozi në Hardau të Cyrihut ku sopranoja e jonë me famë botërore Ermonela Jaho is u takua me komunitetin e këtushëm shqiptar. Ishte ky një rast i veçantë për një bashkëbisedim të sinqertë e të përzemërt të artistes së madhe me publikun, shumica gra, që ishin bërë bashkë në këtë pikëpjekje të veçantë.
Vetë konsiderata e artistes për admiruesit e saj dëshmoi edhe njëherë atë që dihej qëkur: krijuesit vërtet të mëdhenj i cilëson thjeshtësia dhe afërsia më shumë sesa trillet dhe teket që shesh u përshkruhen artistëve.
Një prezantim të biografisë artistike të Jahos e bëri nikoqirja e mbrëmjes, Suela Jorgaqi, drejtoreshë e bibliotekës ku u mbajt takimi. Në këtë prezantim ajo u ndal në disa nga stacionet më të rëndësishme ku ka kaluar Ermonela në 33 vitet e karrierës së saj të bujshme. Stacione që kanë emrat e shtëpive më të mëdha operistike të botës. Me debutimin e saj në to, ajo ka lënë gjithandej vulën e artit dhe të shpirtit të saj, art që e dallon identifikimi maksimal me rolin, me protagonisten që interpreton. Kështu ajo u ka dhënë shumë nga shpirti i saj roleve më të mëdha të literaturës operistike te botës.
Një nga kulmet për të cilat përmendet Ermonela Jaho dhe që e nënvizoi folësja, është rekordi që ka realizuar, duke luajtur rolin e Violetës në operën e njohur të Verdit “Traviatta” më shumë se 300 herë. Jaho po ashtu njihet si njëra ndër interpretueset aktualisht më të rëndësishme të operave me temë realiste (verizmi) në botë dhe vlerësohet veçanërisht për angazhimin e thellë emocional dhe intensitetin dramatik që shpërfaq në skenë.
Se Ermonela Jaho ndodhet në vetë kulmin e operës në nivel bote tregojnë edhe janë disa nga çmimet që i janë ndarë vetëm vitet e fundit:
- 2023: “Artistja e Vitit” në Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike (ICMA)
- 2024: “Këngëtarja më e Mirë” në Çmimet Gjermane OPER!
- 2026: Çmimi ICMA në kategorinë “Muzikë Vokale” për regjistrimet e saj të Këngëve të Donizetti-t (Vëll. 5 dhe 6) me etiketën Opera Rara.
- Ajo është gjithashtu fituese e Urdhrit Francez të Arteve dhe Letrave (Chevalier de l’Ordre des Arts et des Lettres).
Por mbi të gjitha, siç e përmendi ajo gjatë bashkëbisedimit me publikun e nderon çmimi “Nderii Kombit”, i ndarë nga presidenti i Shqipërisë në vitin 2017.
Ermonela Jaho është një artiste që imponohet me afërsinë, çiltërsinë dhe me identifikimin e plotë me publikun duke shembur barrierat artificiale që ndonjëherë vendosen në mes të artistit dhe adhuruesve të tij/saj.
Në rrëfimin e saj ajo shpalos përjetimet duke filluar nga fëmijëria, kur kishte nisur të thurte ëndrrën e saj të madhe për tu bërë këngëtare opere e deri më sot kur kjo ëndërr është realizuar e tejkaluar. Rrëfimin e saj ajo e shpalos spontanisht, pa komplekse e sforcime.
Ajo tregon për kushtet e vështira në të cilat ka kaluar fëmijërinë dhe rininë e hershme ne Shqipëri. Pastaj për emigrimin si vajzë 18 vjeçe në Itali ku, ndërsa ndiqte (dhe i fitonte) konkurset e ndryshme për këngëtare opere ajo e mbante veten duke punuar si baby sitter nëpër familjet italiane.
Ermonela tutje rrëfen për rrugën aspak të lehtë të ngjitjes në skenën operistike të Italisë, pas së cilës ju shtrua edhe rruga drejt pushtimit të majave të operës botërore. Në retrospektivë ajo tregon tani se shumë nga “gurët nën rrota” në këtë rrugë të mundimshme i janë vënë nga shkaku se ishte e huaj, shqiptare dhe pa mbështetje. Veç kësaj, Jaho ishte rritur në kushte modeste dhe në një familje pa “begraund” muzikor, artistik. Kjo i ka imponuar të bëjë përpjekje shumëfish më të mëdha se ato të kolegeve të saj italiane ose të tjera, që kishin ardhur në operë nga rrethana më të volitshme sesa ajo. Pikërisht këto barriera dhe privime, thotë artistja, e kanë bërë më të fortë dhe i kanë forcuar ambicien për të arritur aty ku ajo është tani.
Me një dhimbje e fisnikëri njerëzore ajo rrëfen edhe për sakrificat që k bërë për artin duke u ngjitur në skenë edhe kur merr lajmin për vdekjen e nënës. Ajo, siç e thotë Ermonela, kishte ikur nga kjo botë me pengun se nuk e kishte parë asnjëherë të bijën të luante në operë.
Një moment shumë prekës në të cilin u ndal ajo ishte edhe vizita në Kosovë, respektivisht në Gjakovë ku ishte takuar me nënë Ferdonijen, gruan që kishte humbur katër djemtë dhe të shoqin në luftën e fundit. Dhimbja e madhe e saj po dhe e Gjakovës dhe gjithë Kosovës ishte njëherësh edhe dhimbje e Ermonelës. Ajo e përshkruante me devocion takimin me historinë e dhimbshme të nënës nga Gjakova dhe në rrëfimin e saj shihje identifikimin e plotë me vuajtjen por edhe krenarinë e shqiptarëve të Kosovës, të dalë nga lufta.
Për këtë dhe arsye të tjera që lidhen me realitetin e sotëm ndër shqiptarët ajo disa herë ka ngritur zërin kundër një mendësie të përçudnuar që pikaset te shqiptarët, e cila krenarinë kombëtare e quan si diçka të tejkaluar dhe anakronike. Sipas Ermonelës, identifikimi me vlerat e kombit është plotësisht legjitim dhe askush nuk duhet të ndihet keq nga kjo.
Të pranishme në këtë mbrëmje, fjalën e tyre të frymëzuar për figurën e Ermonela Jahos e thanë edhe zëvendës ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë, zonja Shukrije Ramadani dhe këshilltarja e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, zonja Monika Zguro.
Po ashtu disa artiste që ishin në mesin e publikut, si Mimoza Selimi, Mimoza NAzarko dhe Gentjana Tafili shprehën vlerësimin maksimal për Ermonela Jahon si artiste e klasit të lartë dhe si ambasadore e vlerave shqiptare në botë.


