Skip to content

Qarqet radikale të majta paralajmërojnë protestë të paautorizuar, priten tensione në Bernë

Një vit pas trazirave të dhunshme gjatë një proteste pro-palestineze, në kryeqytetin zviceran është paralajmëruar një tubim i ri pa leje. Autoritetet kanë shtuar gatishmërinë, ndërsa bizneset lokale druhen nga përsëritja e dëmeve materiale.

Autoritetet në Bernë po përgatiten për një fundjavë potencialisht të tensionuar, pasi qarqe radikale të majta kanë bërë thirrje për një protestë të paautorizuar në qytet, në përvjetorin e trazirave të vitit të kaluar. Policia kantonale ka njoftuar se është e përgatitur për të ndërhyrë, me qëllim që situata të mos përshkallëzohet sërish, përcjell albinfo.ch.

Pasojat e protestës së mëparshme vazhdojnë të ndihen në bizneset e prekura. Restoranti historik Della Casa, në qendër të Bernës, sapo ka përfunduar riparimet pas dëmeve të shkaktuara më 11 tetor 2025, kur protestuesit dogjën tavolina dhe karrige jashtë lokalit. Zjarri rrezikoi edhe ndërtesën rreth 500-vjeçare.

Pronari i restorantit, Tobias Burkhalter, ka treguar se për riparimet është dashur të angazhohen disa lloje zejtarësh. Ai shprehet i shqetësuar për mundësinë e përsëritjes së incidenteve, ndonëse fakti që protesta e re është paralajmëruar për të dielën mund të kufizojë rrezikun për klientët dhe punonjësit.

Policia në gatishmëri, protesta nuk ka leje

Tubimi i ri, me moton “Smash Imperialism”, është paralajmëruar për pasditen e së dielës në disa lokacione të Bernës. Sipas drejtorit të sigurisë së qytetit, Alec von Graffenried, protesta nuk është autorizuar dhe autoritetet nuk e dinë saktësisht se si do të zhvillohet.

Ai ka theksuar se demonstratat paqësore duhet të jenë të mundshme në kryeqytetin zviceran, por jeta e përditshme e qytetarëve dhe funksionimi i qytetit nuk duhet të pengohen në mënyrë të tepruar.

Qindra persona u kontrolluan pas trazirave të vitit të kaluar

Gjatë protestës së vitit 2025, policia ndaloi dhe kontrolloi 536 persona. Pas analizimit të pamjeve filmike, autoritetet kanë identifikuar 101 persona të dyshuar për vepra penale, ndërsa ndaj 75 prej tyre janë paraqitur kallëzime, ndër të tjera për pjesëmarrje në trazira, dëmtim të pronës dhe lëndime trupore.

Deri në kohën e publikimit të raportimit, nuk ishte dhënë ende asnjë vendim gjyqësor për këto raste. Shumica e personave të identifikuar janë burra nga Zvicra, të moshës 16 deri në 65 vjeç.

Ndërkohë, operacioni policor i vitit të kaluar është kritikuar nga organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International, e cila në një raport ka vlerësuar se policia ka përdorur forcë të pajustifikuar dhe joproporcionale.

Trazirat nxitën edhe ndryshime ligjore

Ngjarjet e vitit të kaluar kanë pasur pasoja edhe në nivel politik. Parlamenti federal zviceran ka miratuar ndryshime që lejojnë zgjatjen e ndalimit të përkohshëm nga 24 në 48 orë. Gjithashtu, organizatorët e protestave mund të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet materiale të shkaktuara.

Autoritetet shpresojnë që protesta e paralajmëruar këtë fundjavë të mos përsëritë skenat e dhunës, ndërsa policia mbetet në gatishmëri për të ruajtur sigurinë publike dhe për të parandaluar dëmtimin e pronës./Albinfo.ch