Lajme

SBB mbyll edhe 13 sportele në Zvicër, shërbimi personal po tkurret

Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) do të mbyllin edhe 13 qendra shërbimi në stacione të ndryshme të vendit nga 1 janari 2027.

Vendimi prek qendrat në Arbon, Brunnen, Döttingen, Frick, Genève-Eaux-Vives, Laufen, Oensingen, Rotkreuz, Schönbühl Shoppyland, St. Margrethen, Stein am Rhein, Uznach dhe Ziegelbrücke.

Sipas SBB-së, 97 për qind e biletave tashmë blihen përmes sistemeve të vetëshërbimit, ndërsa vetëm 3 për qind shiten ende në sportele. Rreth 85 për qind e të gjitha blerjeve kryhen në mënyrë digjitale, përmes aplikacionit ose faqes së internetit.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, numri i sporteleve të SBB-së është ulur ndjeshëm. Në fund të vitit 2016 ishin 169, ndërsa aktualisht janë 115. Pas mbylljeve të reja, nga janari i vitit 2027 do të mbeten 102 qendra me shërbim personal.

SBB ka bërë të ditur se mbylljet nuk do të shoqërohen me pushime nga puna. Punonjësit e prekur do të sistemohen në qendra të tjera të shërbimit.

Kompania thekson se shërbimi personal do të vazhdojë të ofrohet, veçanërisht për çështje më komplekse, si abonimet e caktuara, pagesat me para të gatshme dhe verifikimi i dokumenteve.

Megjithatë, SBB nuk ka dhënë një parashikim të qartë se sa sportele me personel do të ekzistojnë në vitet e ardhshme, duke thënë se struktura e rrjetit në vitin 2036 nuk mund të parashikohet me siguri.