Lajme

Matterhorn pothuajse pa borë: Ku ka mbetur e bardha e malit simbol të Zvicrës?

Një verë jashtëzakonisht e ngrohtë dhe e thatë ka lënë majën e Matterhornit me shumë pak borë, duke ndryshuar pamjen e njohur të një prej simboleve të Zvicrës.

Matterhorni, një nga simbolet më të njohura të Zvicrës, këtë vjeshtë po paraqitet me shumë pak borë. Pas një vere të nxehtë dhe të thatë, pjesa më e madhe e majës është e zhveshur nga mbulesa e bardhë që zakonisht e karakterizon, përcjell albinfo.ch.

Sipas meteorologëve, temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve gjatë verës kanë bërë që në zonat e larta malore të ketë rënë shumë pak borë e re. Edhe dimri i kaluar ishte relativisht i varfër me reshje bore, duke ndikuar në gjendjen aktuale.

Edhe pse shtatori zakonisht është muaji me më pak borë në Matterhorn, ekspertët e konsiderojnë situatën e këtij viti të pazakontë. Pamjet e kamerave në zonën e Hirli tregojnë ndryshimin e dukshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur një valë e ftohtë kishte sjellë reshje të reja bore. /Albinfo.ch