Lajme

Kopshti i ri në Montevarchi merr emrin e Nënë Terezës

Institucioni i ri në Levanella u emërtua në nder të figurës së njohur shqiptare, ndërsa në ceremoni morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe të autoriteteve lokale.

Një kopsht i ri për fëmijë në Levanella, në komunën e Montevarchit në Itali, është emërtuar “Nënë Tereza e Kalkutës”, në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe komuniteti shqiptar, transmeton albinfo.ch. 

Dy seksionet e institucionit të ri iu kushtuan figurës së Nënë Terezës, e njohur për veprimtarinë e saj humanitare dhe përkushtimin ndaj njerëzve në nevojë, veçanërisht fëmijëve.

 

 

Kryetarja e Bashkisë së Montevarchit, Silvia Chiassai, tha se emërtimi i kopshtit përfaqëson përmbushjen e një angazhimi të marrë më herët ndaj komunitetit shqiptar.

“Bashkë me komunitetin shqiptar i kushtuam dy seksionet e kopshtit të ri në Levanella Nënë Terezës së Kalkutës, e cila ia kushtoi jetën njerëzve më në nevojë dhe të margjinalizuarve, duke u përkujdesur veçanërisht për fëmijët dhe edukimin e tyre”, u shpreh Chiassai.

 

 

Ajo theksoi se zgjedhja e emrit lidhet me shembullin që Nënë Tereza vazhdon të përfaqësojë në nivel ndërkombëtar.

Në ceremoni mori pjesë edhe Baftjar Kondi, kryetar i shoqatës “Vëllazëria Shqiptare”, i cili shprehu mirënjohjen ndaj autoriteteve lokale për realizimin e këtij angazhimi.

Kondi falënderoi kryetaren e bashkisë për emërtimin e kopshtit me emrin e Nënë Terezës, si dhe për mbështetjen e dhënë për hapjen e shkollës në gjuhën shqipe.

Emërtimi i institucionit përbën një tjetër hap në bashkëpunimin ndërmjet komunitetit shqiptar dhe autoriteteve lokale të Montevarchit./Albinfo.ch