Lajme

Papa Leo XIV në Metz: Marrëdhëniet ndërkombëtare po bëhen “gjithnjë e më barbare”

Papa Leo XIV e përmbylli vizitën e tij në Francë me një mesazh për paqe dhe bashkëpunim, duke paralajmëruar se marrëdhëniet mes shteteve po bëhen “gjithnjë e më barbare”.

Gjatë meshës së fundit në Katedralen Saint-Étienne në Metz, në prani të presidentit francez Emmanuel Macron, Papa kritikoi përhapjen e “gënjeshtrave dhe mashtrimit” në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe i bëri thirrje Evropës të rikthehet te respekti dhe dialogu.

Sipas Vatikanit, rreth 35 mijë besimtarë morën pjesë në meshë dhe u mblodhën në zonat përreth qendrës së qytetit.

Në fjalimin e tij, Leo XIV vlerësoi veçanërisht figurën e Robert Schumanit, një nga themeluesit e integrimit evropian, ndërsa Macron deklaroi se Evropa duhet të “rigjejë guximin e themeluesve” dhe të shmangë izolimin, urrejtjen dhe nacionalizmat përçarës.

Gjatë vizitës, përfaqësues të Islamit, Judaizmit, Protestantizmit dhe Budizmit nënshkruan “Apelin e Metz-it”, një deklaratë të përbashkët që bën thirrje për dialog ndërfetar dhe paqe.

Në përfundim të meshës, Papa falënderoi besimtarët dhe u bëri thirrje që “të vazhdojnë të ecin së bashku”, para se të largohej nga katedralja mes brohoritjeve të turmës.