Lajme
Çfarë sheh policia kur skanon pasaportën në kufi?
Nga autenticiteti i dokumentit dhe identiteti deri te hyrjet e daljet në Schengen – ja çfarë kontrollohet, veçanërisht për udhëtarët nga Kosova
Dorëzimi i pasaportës te polici kufitar mund të zgjasë vetëm disa sekonda, por pas skanimit të dokumentit mund të kryhen disa kontrolle elektronike njëkohësisht. Për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë pa vizë në Schengen, kontrollohen dokumenti, identiteti, kushtet e hyrjes dhe, tashmë përmes Sistemit të Hyrje-Daljeve (EES), edhe të dhënat për hyrjet dhe daljet nga zona, përcjell albinfo.ch.
Kur pasaporta vendoset në lexues, verifikohen të dhënat e dokumentit, si emri, mbiemri, data e lindjes, shtetësia, numri i pasaportës, shteti lëshues dhe afati i vlefshmërisë. Për pasaportat biometrike kontrollohet edhe çipi elektronik dhe autenticiteti i të dhënave të tij. Rregullat e BE-së parashohin gjithashtu kontrolle në databaza si Sistemi i Informacionit Schengen (SIS), databaza e Interpolit për dokumentet e humbura dhe të vjedhura, si dhe databazat kombëtare.
Këto kontrolle mund të tregojnë nëse dokumenti është raportuar si i humbur, i vjedhur, i revokuar ose i pavlefshëm. Interpoli thekson se një dokument i raportuar si i humbur ose i vjedhur konsiderohet i pavlefshëm dhe nuk duhet të përdoret më për udhëtim.
Kontrollohet edhe nëse ekziston ndonjë sinjalizim relevant në SIS dhe nëse udhëtari i plotëson kushtet për hyrje. Për shtetasit e vendeve të treta, kontrolli kufitar mund të përfshijë edhe verifikimin e qëllimit dhe kushteve të udhëtimit, si dhe të mjeteve të mjaftueshme financiare.
Çfarë ndryshoi me EES?
Për udhëtarët nga Kosova, një ndryshim i rëndësishëm është Sistemi i Hyrje-Daljeve, EES. Ai është plotësisht funksional në kufijtë e jashtëm të vendeve Schengen që nga 10 prilli 2026 dhe zëvendëson vulosjen tradicionale të pasaportave me regjistrime elektronike.
EES zbatohet për shtetasit jashtë BE-së që udhëtojnë për qëndrime të shkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh. Sistemi regjistron të dhënat e dokumentit të udhëtimit, datën dhe vendin e hyrjes ose daljes, fotografinë e fytyrës, gjurmët e gishtërinjve dhe rastet e refuzimit të hyrjes.
Kjo do të thotë se për një shtetas të Kosovës që udhëton për vizitë në Schengen, autoritetet nuk mbështeten më vetëm te vulat në pasaportë për të përcaktuar historikun e udhëtimit. EES ndihmon në llogaritjen e qëndrimit 90/180 ditë dhe në identifikimin e personave që e kanë tejkaluar periudhën e lejuar.
Sistemi përdor gjithashtu të dhënat biometrike për të verifikuar identitetin dhe për të zbuluar raste të dokumenteve apo identiteteve të falsifikuara.
Megjithatë, skanimi i pasaportës nuk do të thotë se polici kufitar sheh automatikisht çdo informacion privat për udhëtarin. Kontrolli kufitar bazohet në të dhënat dhe sistemet ku autoritetet kanë qasje sipas ligjit.
Nëse kontrolli zgjat më shumë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se udhëtari ka një problem serioz. Mund të nevojitet verifikim shtesë i identitetit, të ketë problem me leximin e çipit ose të kërkohet kontroll i mëtejshëm i dokumenteve dhe kushteve të udhëtimit.
Pra, ato pak sekonda gjatë të cilave pasaporta qëndron në lexues përfshijnë sot një proces shumë më të gjerë se kontrolli tradicional i dokumentit. Me funksionimin e plotë të EES, hyrjet dhe daljet nga Schengeni regjistrohen në mënyrë elektronike, duke e bërë më të lehtë kontrollin e afatit të qëndrimit dhe verifikimin e identitetit të udhëtarëve./Albinfo.ch
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Bie numri i kosovarëve që punojnë në Slloveni Nga rreth 16,600 në mars 2024, numri i shtetasve të Kosovës në punësim ka zbritur në... -
Rame Lahaj nis në Cyrih turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” -
“Shame and Money” prezantohet para publikut në Këln -
“Liria Ka Emër” njofton për protesta në katër qytete të Gjermanisë më 26 shtator -
Shqiptarja ndalohet në aeroportin e Memmingenit për tejkalim të qëndrimit
Jeta në Austri
-
DHL i rrit çmimet në Austri me 5,4 për qind DHL Express i përshtat tarifat e saj në fillim të vitit; kjo do të jetë e... -
Dardanët nisin përgatitjet për ndeshjen ndaj Austrisë -
Austria heq vinjetën ngjitëse, nga viti 2027 vetëm në format digjital -
Vjenë
Tringa Haxhiu përfundon me notën maksimale Masterin në të Drejtën Ndërkombëtare Biznesore në Universitetin e Vjenës -
Në Austri ndryshojnë kufijtë e tatimit, punëtorëve mund t’u rritet paga neto











