Kosova

Mërgata shqiptare në Finlandë dhe Belgjikë paralajmëron protesta kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale

Protesta do të mbahet më 26 shtator në Helsinki, dhe në Bruksel 10 tetor, ndërsa organizatorët kanë njoftuar se tubimi është lejuar nga autoritetet lokale.

Mërgata shqiptare në Finlandë do të organizojë protestë kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Protesta do të mbahet më 26 shtator, në hapësirën Kansalaistori në Helsinki, duke filluar nga ora 17:00. Sipas organizatorëve, tubimi është organizuar zyrtarisht dhe është pajisur me leje nga autoritetet e qytetit të Helsinkit.

Përmes protestës, organizatorët synojnë të shprehin kundërshtimin ndaj vendimit dënues të Gjykatës Speciale.

Tubimi në Helsinki vjen pas protestave dhe aktiviteteve të ngjashme të organizuara nga mërgata shqiptare në vende të ndryshme, pas shpalljes së aktgjykimit.

Ndërkohë, platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka paralajmëruar edhe një tubim në Bruksel më 10 tetor. Në kuadër të kësaj nisme është paralajmëruar edhe peticioni qytetar “JO NË EMRIN TIM”, i cili, sipas organizatorëve, do t’u dërgohet simbolikisht institucioneve në Bruksel, Strasburg dhe Hagë./Albinfo.ch.