Lajme

Doruntina Kastrati hap ekspozitën personale në Göteborg

Artistja kosovare prezantohet për herë të parë në Suedi me ekspozitën “…why do you hold back?” në Röda Sten Konsthall.

Göteborg – Artistja bashkëkohore nga Kosova, Doruntina Kastrati, po prezantohet për herë të parë në Suedi me ekspozitën e saj personale “…why do you hold back?”, e cila është hapur në Röda Sten Konsthall në Göteborg, transmeton  albinfo.ch.

Pas pjesëmarrjes së saj në Bienalen e Venedikut dhe Bienalen e Stambollit, Kastrati sjell në Göteborg kërkimet artistike të zhvilluara gjatë viteve të fundit, me fokus te puna, trupi dhe përvojat e grave.

Ekspozita merr si pikënisje historinë e industrisë së ëmbëlsirave dhe transformimet e tregut të punës në Kosovën e pasluftës, duke i trajtuar këto tema përmes praktikës së saj artistike.

Prezantimi në Göteborg përbën një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin ndërkombëtar të artistes kosovare, ndërsa njëkohësisht pasqyron praninë në rritje të artit bashkëkohor nga Kosova në institucionet e rëndësishme kulturore në Evropë dhe më gjerë.

Ekspozita “…why do you hold back?” do të qëndrojë e hapur në Röda Sten Konsthall deri më 22 nëntor./Albinfo.ch