Kosova

Kryetari i Aleancës për caktimin e seancës: Dalje përtej binarëve kushtetues

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka vlerësuar si tallje me shtetin dhe dalje përtej binarëve kushtetues, caktimin e vazhdimit të seancës konstituive për 9 shtator.

Ai e ka cilësuar këtë datë përtej çdo afati kushtetues dhe i ka quajtur Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin “superkriminelë”.

“Ajo që e pamë sot, thirrja për 9 shtator është edhe një shkelje brutale e normës dhe bindjes kushtetuese dhe vetë Kushtetutës. Është mënyrë me u tallë me shtetin dhe qytetarët. Mënyrë për të abuzuar skajshëm me gjithçka që shteti ia ofron dikujt që i fiton zgjedhjet… me qeverisë. Shumica dërrmuee prej nesh e kemi ditë se edhe para 30 ditësh ka pasur shkelje, por kemi besuar se duhet mbajtur një rrugë çelë që Kosova të mos dalë jashtë çdo vije kushtetuese. Ajo që ka ndodhur sot është se një person që i ka zaptuar institucionet në mënyrë të paligjshme dhe është toleruar nga të gjitha partitë me ia caktuar vetes edhe 30 ditë e edhe këto 30 ditë i ka shkelur. Kosova është jashtë normave të rregullimit të vet kushtetues. Kjo është anarki, thënë më së buti. Do të mbahen mend si superkriminelët më të mëdhenj të historisë, duke përdorur termet e tyre”, ka thënë Gjini teksa u ka bërë thirrje dy partive të tjera që deri tash ishin në opozitë, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike “të mendojnë dhe të mos bëhen pjesë e shkeljes brutale të Kushtetutës”, ka deklaruar ai, transmeton albinfo.ch.