Lajme

Norma referente e hipotekave mbetet 1.25%, çfarë do të thotë kjo për qiramarrësit në Zvicër?

Norma referente e interesit hipotekar në Zvicër mbetet e pandryshuar në 1.25 për qind. Kjo normë, e cila përdoret si bazë për përcaktimin e qirave në të gjithë Zvicrën, do të vazhdojë të jetë në fuqi edhe nga 2 shtatori 2026, shkruan albinfo.ch.

Norma referente publikohet në intervale prej 0.25 pikë përqindjeje dhe bazohet në normën mesatare të ponderuar të interesit për kreditë hipotekare në Zvicër.

Sipas të dhënave të llogaritura deri më 30 qershor 2026, norma mesatare e interesit ka mbetur e pandryshuar krahasuar me tremujorin e kaluar, në 1.31 për qind. Pas rrumbullakimit sipas rregullave përkatëse, norma referente për qiratë vazhdon të jetë 1.25 për qind.

Ajo do të mbetet në këtë nivel derisa norma mesatare e interesit të bjerë nën 1.13 për qind ose të rritet mbi 1.37 për qind.

Kush mund të kërkojë ulje të qirasë?

Norma referente hipotekare është në nivelin 1.25 për qind që nga 2 shtatori 2025. Meqenëse nuk ka ndryshuar krahasuar me tremujorin e kaluar, nga publikimi i fundit nuk lind ndonjë e drejtë e re për uljen apo rritjen e qirasë.

Megjithatë, për qiramarrësit, qiraja e të cilëve vazhdon të jetë e llogaritur mbi një normë referente prej 1.5 për qind ose më shumë, në parim vazhdon të ekzistojë e drejta për të kërkuar uljen e qirasë.

Informacioni se mbi cilën normë referente bazohet qiraja aktuale zakonisht gjendet në kontratën e qirasë ose në njoftimin e fundit për ndryshimin e saj.

Nga këto rregulla përjashtohen, ndër të tjera, kontratat me qira të indeksuara ose të shkallëzuara, si dhe qiratë e ambienteve afariste që varen nga qarkullimi. Për banesat e subvencionuara shpesh zbatohen rregulla të veçanta.

Edhe inflacioni dhe shpenzimet ndikojnë në qira

Norma referente hipotekare nuk është faktori i vetëm që ndikon në përcaktimin e qirasë.

Në llogaritje mund të merret parasysh edhe ndryshimi i Indeksit Kombëtar të Çmimeve të Konsumit, pra inflacioni. Inflacioni mund të llogaritet në masën 40 për qind.

Gjithashtu, ndryshimet në shpenzimet e mirëmbajtjes dhe ato operative mund të ndikojnë në përshtatjen e çmimit të qirasë dhe, sipas rastit, duhet të përfshihen në përllogaritje.

Norma referente hipotekare dhe norma mesatare mbi të cilën ajo bazohet publikohen çdo tre muaj nga Zyra Federale për Strehim (BWO). Publikimi i ardhshëm është parashikuar për 1 dhjetor 2026.

/bwo.admin.ch/