Lajme

Politikat amerikane mund t’i kushtojnë industrisë farmaceutike zvicerane deri në 195 miliardë franga

Një analizë e BAK Economics paralajmëron se ndryshimet në SHBA mund të ngadalësojnë ndjeshëm rritjen e sektorit farmaceutik në Zvicër

Politikat e reja farmaceutike të Shteteve të Bashkuara mund të kenë pasoja të mëdha për industrinë farmaceutike zvicerane dhe të ngadalësojnë ndjeshëm rritjen e saj në vitet e ardhshme.

Sipas një studimi të BAK Economics, të porositur nga shoqata Interpharma, në skenarin me ndikimin më të madh ekonomik, industria farmaceutike zvicerane mund të gjenerojë rreth 195 miliardë franga më pak vlerë të shtuar bruto gjatë periudhës 2025–2040, krahasuar me skenarin bazë, përcjell albinfo.ch.

Analiza fokusohet në dy zhvillime kryesore në SHBA: zhvendosjen e kapaciteteve prodhuese drejt tregut amerikan dhe qasjen e re të qeverisë amerikane ndaj çmimeve të barnave.

Sipas Interpharma-s, ndikimi i ndryshimeve në politikën e çmimeve mund të jetë veçanërisht i ndjeshëm. Për të kompensuar çmimet më të ulëta në SHBA, kompanitë mund të vendosin që barnat e reja t’i hedhin më vonë në tregjet jashtë Amerikës ose të mos i prezantojnë fare në disa prej tyre.

Një zhvillim i tillë mund të ndikojë edhe në Zvicër, duke vështirësuar qasjen në barna inovative dhe duke kufizuar disponueshmërinë e terapive të reja.

Industria farmaceutike mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë zvicerane dhe një nga sektorët më të rëndësishëm të eksporteve të vendit. Interpharma kërkon përmirësimin e kushteve kornizë në Zvicër për të ruajtur konkurrueshmërinë e sektorit në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të vështirë.