Kosova

Serbia tërheq ekipin nga basketbolli, nuk do të përballet me Kosovën në Taranto

Tërheqja ka sjellë ndryshime në orarin e garave, ndërsa përballja Kosovë-Serbi e planifikuar për 29 gusht nuk do të zhvillohet

Serbia është tërhequr nga gara e basketbollit 3×3 në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, ku ishte shortuar në të njëjtin grup me Kosovën.

Si pasojë e tërheqjes së Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut nga kjo disiplinë, është ndryshuar edhe orari i garave dhe i transmetimeve, përcjell albinfo.ch.

Unioni Evropian i Transmetuesve, EBU, ka komunikuar se versioni i ri i orarit zëvendëson atë të shpërndarë më herët.

Serbia dhe Kosova ishin shortuar në të njëjtin grup, ndërsa përballja mes tyre ishte planifikuar të zhvillohej më 29 gusht.

Me tërheqjen e Serbisë, kjo ndeshje nuk do të zhvillohet, ndërsa Kosova do të vazhdojë garën sipas orarit të ri të përcaktuar nga organizatorët.

Vëmendja tani është edhe te boksi, ku sot Donjeta Sadiku do të garojë në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë për femra përballë Kristina Kuhulovës, një sportisteje me origjinë ruse që përfaqëson Serbinë.

Sadiku synon medaljen e artë në Taranto, në një tjetër përballje ku Kosova dhe Serbia do të jenë në anë të kundërta të garës.