Lajme

BE ngre shqetësimin për kontrollin njerëzor mbi inteligjencën artificiale

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar për rreziqet që mund të shfaqen nëse zhvillimi i inteligjencës artificiale tejkalon aftësinë e njerëzve për ta kontrolluar atë.

Henna Virkkunen, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian përgjegjëse për sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë, tha për transmetuesin finlandez Yle se humbja e kontrollit njerëzor mbi sistemet e IA-së konsiderohet një ndër rreziqet më serioze të sigurisë.

Sipas saj, përparimi i shpejtë i këtyre teknologjive e bën të domosdoshme vendosjen e mekanizmave mbrojtës dhe kufizimeve të qarta të sigurisë. Ajo theksoi se vendimmarrja përfundimtare duhet të mbetet gjithmonë në duart e njerëzve.

Virkkunen vuri në dukje edhe rëndësinë e rregullimit të sektorit përmes Aktit Evropian të Inteligjencës Artificiale. Ky kuadër kërkon që zhvilluesit dhe ofruesit e sistemeve të IA-së të identifikojnë dhe vlerësojnë vazhdimisht rreziqet, si dhe të ruajnë mekanizmat e nevojshëm të sigurisë.

Ajo tha se nuk e sheh situatën si një arsye për frikë, por si një rrezik që duhet të merret vazhdimisht në konsideratë. Sipas saj, modelet e IA-së duhet të jenë të sigurta dhe të monitorohen edhe pasi të dalin në treg.

Zyrtarja evropiane theksoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar, duke argumentuar se rregullat e BE-së po ndikojnë në mënyrën se si vendosen standardet globale për inteligjencën artificiale.

“Evropa po ndihmon gjithashtu në vendosjen e standardeve për IA”, tha Virkkunen./albinfo.ch/