Kosova

Kurti në Shkup: Autostrada Shkup-Bllacë, urë e re lidhëse mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për pjesën e dytë të autostradës Shkup-Bllacë në Maqedoninë e Veriut, një projekt që synon të përmirësojë ndjeshëm lidhjen rrugore mes Shkupit dhe Prishtinës.

Në ceremoninë e mbajtur në Maqedoninë e Veriut u hodhën themelet e segmentit të ri prej 10.5 kilometrash, i cili paraqet një nga pjesët kryesore të lidhjes infrastrukturore mes dy vendeve.

Kurti e cilësoi projektin si të rëndësishëm jo vetëm për transportin, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Jam i lumtur që ndodhem këtu bashkë me juve, në këtë moment kur po hedhen themelet e një lidhjeje të re dhe moderne midis dy vendeve tona”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, autostrada Shkup-Bllacë, e cila parashikon pesë tunele, tetë ura dhe katër galeri, do ta bëjë lëvizjen ndërmjet dy vendeve më të shpejtë dhe më të sigurt.

Kryeministri kosovar theksoi se rëndësia e projektit shkon përtej infrastrukturës, duke marrë parasysh qarkullimin e madh të qytetarëve dhe mallrave ndërmjet dy shteteve.

Ai tha se familjet, studentët, punëtorët, profesionistët dhe bizneset lëvizin çdo ditë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa vetëm përmes pikës kufitare në Han të Elezit kalojnë rreth 54 mijë kamionë në vit.

“Çdo kilometër i ri rrugë që na afron është investim në jetën e qytetarëve tanë dhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve”, tha Kurti.

Sipas tij, përfundimi i autostradës në territorin e Maqedonisë së Veriut do t’u krijojë bizneseve mundësi më të mira për transportin e mallrave, zgjerimin e tregjeve dhe krijimin e partneriteteve të reja.

Kurti e lidhi projektin edhe me përpjekjet për integrimin e infrastrukturës së rajonit në korridoret evropiane. Ai tha se autostrada është pjesë e rrjetit evropian TEN-T dhe e një lidhjeje strategjike që afron Shkupin me Prishtinën dhe, përmes Kosovës, me tregjet evropiane.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe Linjën 10 hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe projektin e planifikuar Prizren-Tetovë përmes tunelit.

Projekti i autostradës Shkup-Bllacë parashikon ndërtimin e 10.5 kilometrave rrugë dhe pesë tuneleve. Financimi është siguruar përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa përfundimi i punimeve parashikohet brenda katër vjetësh.

Në anën kosovare, autostrada “Arbën Xhaferi”, e cila lidh Prishtinën me kufirin e Maqedonisë së Veriut, është tashmë e përfunduar. Me përfundimin e segmentit Shkup-Bllacë, pritet të krijohet një lidhje autostradale dukshëm më e shpejtë ndërmjet dy kryeqyteteve.