Lajme

Irani shqyrton goditje ndaj bazave amerikane në Evropë

Në mesin e objektivave të mundshëm përmenden baza dhe objekte ushtarake në Bullgari dhe Qipro

Irani po shqyrton mundësinë e goditjes së bazave dhe objekteve ushtarake amerikane në Evropën Juglindore, në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit me Shtetet e Bashkuara.

Në mesin e vendeve të përmendura janë Bullgaria dhe Qiproja, ku ndodhen objekte që përdoren nga forcat amerikane dhe aleatët e tyre, përcjell albinfo.ch.

Raportimet bëjnë të ditur se në Bullgari është përmendur baza ajrore Bezmer, ndërsa Qiproja konsiderohet gjithashtu një pikë me rëndësi strategjike për operacionet ushtarake perëndimore në rajon.

Megjithatë, deri tani nuk ka një vendim zyrtar të Iranit për kryerjen e sulmeve. Bëhet fjalë për skenarë të shqyrtuar në kuadër të tensioneve në rritje mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar më herët se përdorimi i bazave në vende të tjera për operacione kundër Iranit mund t’i ekspozojë ato ndaj kundërpërgjigjes.

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara mbeten të larta, ndërsa çdo përshkallëzim i ri mund të ketë pasoja edhe për sigurinë në Evropën Juglindore.