Kosova

Kosova prezanton ekipin për Taranto 2026

163 sportistë do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Mesdhetare në Itali

Kosova ka prezantuar ekipin që do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, të cilat do të zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtator në Itali.

Në kuadër të ceremonisë së organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës u bë edhe dorëzimi i flamurit të Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Flamuri iu dorëzua boksieres Donjeta Sadiku dhe taekwondistit Bleron Ademi nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.

Kosova do të përfaqësohet me gjithsej 163 sportistë, duke pasur delegacionin më të madh të saj deri më tani në Lojërat Mesdhetare.

Pjesë e delegacionit do të jetë edhe ekipi i boksit, i cili synon rezultate të reja pas paraqitjeve dhe medaljeve të fituara në edicionet e mëparshme të kësaj gare.

Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 do të mbledhin sportistë nga vendet e rajonit të Mesdheut, ndërsa Kosova do të garojë në një numër të madh disiplinash sportive.