Lajme

Aksident i rëndë në Austri, familja me tre fëmijë rrezikoi të digjej brenda veturës

Një familje me tre fëmijë përjetoi momente tmerri në autostradën A11 pranë Villachut, pasi furgoni me të cilin po udhëtonin doli nga rruga, u përplas me barrierat dhe më pas mori flakë.

Një familje me tre fëmijë ka përjetuar momente të frikshme pas një aksidenti të rëndë në autostradën A11, pranë Villachut në landin austriak të Kärntenit.

Aksidenti ndodhi të premten në mëngjes, kur një furgon i tipit VW doli nga rruga dhe u përplas me barrierat e një parkingu.

Situata u përkeqësua menjëherë pasi automjeti filloi të nxirrte tym, ndërsa dyert mbetën të bllokuara. Në vendin e ngjarjes u krijua një kolonë prej rreth 20 automjetesh.

Një zjarrfikës profesionist, i cili ndodhej rastësisht në kolonë, vërejti tymin dhe vendosi të ndërhynte.

Me një fikës zjarri dhe një kuti të ndihmës së parë, ai kaloi përmes kolonës për t’iu ardhur në ndihmë familjarëve.

“Fillimisht mendova se ishte thjesht trafiku i pushuesve. Pastaj pashë se po ngrihej tym dhe e kuptova: duhet të shkoj atje”, ka rrëfyer ai për Kleine Zeitung.

Sipas zjarrfikësit, situata në trafik ishte veçanërisht shqetësuese, pasi automjetet ishin ndalur në mënyrë të çrregullt dhe nuk ishte krijuar hapësirë e mjaftueshme për kalimin e automjeteve të emergjencës.

Nëna nxori djalin nga vetura

Nëna 39-vjeçare, e cila ishte në timon, arriti të dilte vetë nga automjeti dhe të nxirrte djalin e saj më të vogël nga ulësja.

Ndërkohë, babai, i cili ndodhej në ulësen e pasagjerit, kishte mbetur i bllokuar brenda automjetit. Edhe dy fëmijët e tjerë nuk mundën të dilnin nga vetura.

Të gjithë anëtarët e familjes pësuan lëndime dhe mbetën të traumatizuar nga aksidenti.

Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësit ishte vendimtare për situatën, e cila mund të përfundonte me pasoja shumë më të rënda nëse zjarri do të përhapej më tej.

Kritika për shoferët e tjerë

Zjarrfikësi ka shprehur shqetësim edhe për reagimin e disa prej drejtuesve të automjeteve që ndodheshin në kolonë.

“Me shumë gjasë kanë bërë fotografi”, ka thënë ai, duke kritikuar faktin se disa persona nuk ndërhynë për të ndihmuar dhe nuk krijuan hapësirë të mjaftueshme për ekipet e shpëtimit.

Ngjarja ka rikthyer edhe një herë rëndësinë e krijimit të korridorit të shpëtimit (Rettungsgasse) në autostrada, në mënyrë që zjarrfikësit, ambulancat dhe ekipet e tjera emergjente të mund të arrijnë sa më shpejt në vendin e aksidentit./Albinfo.ch