Lajme

Aktiviteti i vullkanit Etna paralizon trafikun ajror në Sicili, qindra fluturime anulohen ose devijohen

Aktiviteti i vullkanit Etna ka sjellë ndërprerje të shumta në trafikun ajror në Sicili, duke shkaktuar kaos në aeroportin e Katanias.

Rreth 700 fluturime janë prekur nga situata, mes anulimeve, ndërprerjeve të nisjeve dhe mbërritjeve, si dhe devijimeve drejt aeroporteve të tjera të ishullit.

Sipas të dhënave të SAC, kompanisë përgjegjëse për menaxhimin e aeroportit të Katanias, rreth 400 fluturime të planifikuara për nisje janë anuluar, ndërsa 52 të tjera pritet të anulohen gjatë ditës.

Për shkak të emergjencës së krijuar nga aktiviteti vullkanik, mbi 250 fluturime janë riorganizuar dhe orientuar drejt aeroporteve të tjera në Sicili. Më shumë se 100 prej tyre janë dërguar drejt aeroportit të Komisos që nga nisja e situatës emergjente.

Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, rreth 50 fluturime u devijuan në Palermo, ndërsa 22 të tjera u ulën në aeroportin e Trapanit.

Problemet në transportin ajror kanë prekur mijëra udhëtarë, të cilët po përballen me anulime, ndryshime orarësh dhe devijime të fluturimeve. Autoritetet vijojnë të monitorojnë aktivitetin e Etnës për të vlerësuar ndikimin e tij në trafikun ajror dhe për të marrë masat e nevojshme.