Lajme

Ndryshimet klimatike po godasin edhe djathin alpin të Zvicrës

Vala e nxehtësisë gjatë verës së vitit 2026 po krijon vështirësi veçanërisht në procesin e maturimit të djathit

Temperaturat gjithnjë e më të larta në Zvicër po ndikojnë jo vetëm në shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, furnizimin me ujë dhe infrastrukturën, por tashmë edhe në një prej produkteve më tradicionale të vendit – djathin alpin zviceran.

Vala e nxehtësisë gjatë verës së vitit 2026 po krijon vështirësi veçanërisht në procesin e maturimit të djathit. Djathërat alpinë prodhohen kryesisht nga qumështi i papasterizuar i lopëve që kullosin në kullota të larta malore, ndërsa maturimi i tyre kërkon kushte të caktuara të temperaturës.

Sipas raportimeve të transmetuesit publik RTS, në disa bodrume ku ruhet djathi, temperaturat kanë kaluar 16 gradë Celsius, ndërkohë që për maturimin e duhur nevojiten rreth 12 deri në 13 gradë.

Në të kaluarën, freskia natyrore e tokës ishte e mjaftueshme për t’i mbajtur këto hapësira në temperaturën e nevojshme, por kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Përballë kësaj situate, prodhuesit e djathit në zonat malore po detyrohen të kërkojnë metoda alternative. Një prej tyre është instalimi i sistemeve të klimatizimit dhe ftohjes në bodrumet e djathit, në mënyrë që temperatura të mbahet në nivelin e duhur.

Megjithatë, kjo zgjidhje sjell edhe shpenzime shtesë për prodhuesit, të cilat mund të reflektohen përfundimisht edhe në çmimin që paguajnë konsumatorët.

Një alternativë tjetër është që djathi të dërgohet për maturim në qendra të specializuara, të pajisura me sisteme të përshtatshme ftohjeje. Objekte të tilla tashmë ekzistojnë në kantonet Bernë, Valais, Fribourg dhe Glarus.

Situata tregon se pasojat e temperaturave ekstreme po shtrihen edhe në prodhimet tradicionale alpine, duke i detyruar fermerët dhe prodhuesit zviceranë të përshtatin metoda që prej vitesh mbështeteshin në kushtet natyrore të klimës malore.