Lajme

Zvicra i jep më shumë ujë Italisë, rrit përkohësisht shkarkimin nga Liqeni i Luganos

Vendimi për rritjen e përkohshme të shkarkimit synon të sigurojë më shumë ujë për bujqësinë italiane

Zvicra ka vendosur të rrisë përkohësisht sasinë e ujit që shkarkohet nga Liqeni i Luganos drejt Italisë, për t’u ardhur në ndihmë zonave bujqësore italiane që po përballen me mungesë uji.

Sipas autoriteteve të kantonit Ticino, shkarkimi do të rritet nga 3 në 8 metra kub ujë në sekondë dhe kjo masë do të jetë në fuqi për një periudhë prej dhjetë ditësh.

Sasia shtesë e ujit do të kalojë drejt Liqenit Maggiore dhe më pas do të ndihmojë veçanërisht zonat italiane të kultivimit të orizit pranë Novarës, Lomellinës dhe Milanos, transmeton albinfo.ch.

Si pasojë e rritjes së shkarkimit, niveli i Liqenit të Luganos pritet të ulet në total me rreth 10 centimetra, kanë bërë të ditur autoritetet përgjegjëse për ujërat në Ticino.

Masa vjen në një periudhë kur thatësira dhe temperaturat e larta kanë ushtruar presion mbi rezervat ujore në Zvicër dhe në rajonet fqinje. Edhe reshjet e mëparshme nuk kanë qenë të mjaftueshme për të rikthyer në nivele normale shumë lumenj dhe liqene zvicerane.

Vendimi për rritjen e përkohshme të shkarkimit synon të sigurojë më shumë ujë për bujqësinë italiane, ndërsa autoritetet zvicerane do të vazhdojnë të përcjellin situatën dhe nivelin e Liqenit të Luganos.