Lajme

Studimi në Zvicër: Nëse shoferët do të paguanin të gjitha kostot e trafikut, do të përdornin më pak makina

Një studim i Universitetit të Bazelit tregon se tarifimi i kostove reale që shkakton trafiku mund t’i nxisë njerëzit të përdorin më pak automjetet.

Në studim morën pjesë rreth 3,600 persona nga zona urbane të Zvicrës gjermanofolëse dhe frankofolëse. Për tetë javë, pjesëmarrësit regjistruan udhëtimet e tyre përmes një aplikacioni në telefon.

Kërkuesit u fokusuan te kostot që trafiku i shkakton shoqërisë, përfshirë ndotjen e ajrit dhe zhurmën, shpenzimet shëndetësore nga aksidentet, humbjet ekonomike për shkak të bllokimeve në trafik dhe dëmet që lidhen me ndryshimet klimatike.

Pjesëmarrësit u ndanë në tri grupe. Njërit iu dha vetëm informacion mbi mënyrën e lëvizjes, grupi i dytë u informua për kostot që shkaktonte transporti i tyre, ndërsa grupit të tretë këto kosto iu zbritën nga një buxhet personal.

Rezultatet treguan se vetëm informimi nuk ndikoi ndjeshëm në sjelljen e shumicës së pjesëmarrësve. Në të kundërt, grupi që përballej me një pasojë financiare përdori më pak automjete dhe kaloi më shpesh në mjete alternative të transportit.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore Review of Economic Studies, sugjeron se vendosja e një kostoje financiare për dëmet që shkakton trafiku mund të jetë një mënyrë më efektive për të reduktuar përdorimin e makinave.