Lajme
Rënia e lindshmërisë shqetëson qeveritë: nga ndihmat financiare te presioni mbi gratë
Rënia e numrit të lindjeve po shndërrohet në një shqetësim të madh demografik për shumë shtete, nga Kina dhe Rusia te SHBA-ja, Izraeli dhe Spanja. Përballë këtij fenomeni, qeveritë po përdorin politika të ndryshme, nga mbështetja financiare për familjet deri te politikat që nxisin ose ushtrojnë presion për lindje.
Në Kinë, pas dekadash të politikës së një fëmije, autoritetet po përpiqen të nxisin martesat dhe lindjet. Qeveria ka ofruar ndihma për familjet, zgjatje të lejeve prindërore dhe mbështetje për kujdesin ndaj fëmijëve. Megjithatë, rënia e martesave, kushtet ekonomike dhe shqetësimet për kostot e rritjes së fëmijëve vazhdojnë ta bëjnë të vështirë rritjen e lindshmërisë.
Në SHBA, një pjesë e sektorit teknologjik dhe atij të fertilitetit po shohin te gjenetika një mënyrë për të ndihmuar çiftet të zgjedhin embrione me karakteristika të caktuara. Testet gjenetike mund të përdoren për të vlerësuar probabilitetin e disa tipareve, përfshirë inteligjencën, megjithëse studiuesit theksojnë se rezultatet mbeten probabilistike dhe nuk ofrojnë garanci.
Izraeli ka një nga normat më të larta të lindshmërisë në vendet e OECD-së, me rreth 2.8 fëmijë për grua. Shteti financon gjerësisht trajtimet e fekondimit in vitro (FIV), duke i bërë ato të qasshme për një numër të madh çiftesh. Studiuesit e lidhin këtë politikë me faktorë historikë, fetarë dhe demografikë, por paralajmërojnë gjithashtu për presionin që mund të krijohet ndaj grave për të pasur fëmijë.
Në Rusi, pavarësisht prej vitesh të politikave financiare për nxitjen e lindjeve, rezultatet kanë qenë të kufizuara. Autoritetet kanë ofruar ndihma për familjet me shumë fëmijë, kredi të subvencionuara dhe pagesa për lindjen e fëmijëve. Ndërkohë, janë shtuar edhe kufizimet mbi abortin dhe presioni institucional ndaj grave që nuk dëshirojnë të bëhen nëna. Ekspertët vlerësojnë se pasiguria ekonomike dhe lufta në Ukrainë po e vështirësojnë më tej përmirësimin e situatës demografike.
Në Spanjë, një nga vendet me lindshmërinë më të ulët në Evropë, faktorët ekonomikë, ndryshimet shoqërore dhe ndryshimi i rolit të grave po ndikojnë në vendimin për të pasur fëmijë. Një pjesë e grave zgjedhin të mos kenë fëmijë ose nuk gjejnë një partner me të cilin duan të krijojnë familje. Studiuesit vërejnë se gratë kanë më shumë liri për të zgjedhur jetën që duan, ndërsa modeli tradicional i familjes po humbet terren.
Në të gjitha këto raste, debati rreth rënies së lindshmërisë përplaset mes interesave demografike të shteteve dhe të drejtës së individëve për të vendosur nëse dhe kur duan të kenë fëmijë. Ekspertët argumentojnë se, për të frenuar rënien e lindshmërisë, nuk mjaftojnë vetëm stimujt financiarë apo presioni, por nevojiten kushte më të mira jetese, siguri ekonomike dhe besim më i madh në të ardhmen/albinfo.ch/
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Prishtinë: Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane organizoi takimin e vitit 2026 Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka organizuar në Prirshtinë “Takimin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane 2026”, i cili mblodhi... -
25-vjeçari shqiptar ndalohet në aeroportin e Memmingenit, pajisjet e punës zbuluan planin për të hyrë ilegalisht në Gjermani -
Takim B2B mes diasporës dhe Kosovës, për më shumë mundësi biznesi -
Vëllai i Dua Lipës po ndërton emrin e tij në muzikën elektronike -
Gjermani
Mbi 120 fluturime nga Gjermania drejt Kosovës vetëm brenda një jave
Jeta në Austri
-
Austri: Arrihet marrëveshja, këta klientë të bankës marrin paratë mbrapsht Një "shpërthim i madh" të hënën në Austri! Klientët e Erste Bank dhe të shumë bankave... -
Gratë në Austri marrin rreth 40% më pak pension se burrat -
Vjenë: Vazhdon orari i zgjatur i pishinave -
Vjenë: 72-vjeçari dyshohet se kidnapoi dhe mbajti me dhunë një djalë 4-vjeçar -
Kosovë: Një jetë e re për qentë endacakë











