Lajme

Zvicër, banorët po largohen nga apartamentet e nxehta dhe po strehohen në hotele

Temperaturat e larta që kanë përfshirë Zvicrën po i shtyjnë disa banorë të kërkojnë alternativa për të kaluar netët e nxehta. Disa zviceranë po rezervojnë dhoma hoteli me ajër të kondicionuar, pasi temperaturat në apartamentet e tyre janë bërë të vështira për t’u përballuar.

Sipas raportimit të 20 Minuten, fenomeni është vërejtur veçanërisht gjatë valës aktuale të të nxehtit, kur edhe gjatë natës temperaturat në shumë banesa mbeten të larta, transmeton albinfo.ch.

Hotelet, një mënyrë për t’i shpëtuar vapës

Një nga problemet kryesore është se shumë banesa në Zvicër nuk kanë sistem të ajrit të kondicionuar. Kur temperaturat mbeten të larta për disa ditë radhazi, ndërtesat akumulojnë nxehtësi dhe ambientet e brendshme nuk arrijnë të freskohen mjaftueshëm gjatë natës.

Për disa banorë, një natë në hotel është bërë kështu një zgjidhje e përkohshme për të fjetur në një ambient më të freskët dhe për t’u rikuperuar nga temperaturat e larta.

Situata është veçanërisht e vështirë në apartamentet në katet e sipërme dhe nën çati, ku temperaturat e brendshme mund të jenë dukshëm më të larta. Nxehtësia gjatë natës ndikon drejtpërdrejt edhe në cilësinë e gjumit dhe rikuperimin e organizmit.

Fenomeni vjen në një kohë kur Zvicra po përjeton temperatura jashtëzakonisht të larta edhe në rajonet malore, ndërsa netët tropikale po bëhen problem për një numër gjithnjë e më të madh banorësh.