Lajme
Thatësira godet rëndë bujqësinë zvicerane, reshjet deri në 80% nën normalen
Për të lehtësuar presionin mbi fermat, Konfederata ka vendosur të përshpejtojë pagesat direkte për ndërmarrjet bujqësore
Bujqësia zvicerane po përballet me pasoja serioze nga thatësira e vazhdueshme, ndërsa në disa rajone të vendit reshjet kanë qenë deri në 80 për qind më të ulëta se normalja.
Drejtori i Zyrës Federale për Bujqësi (FOAG), Christian Hofer, ka deklaruar se deficiti i reshjeve është grumbulluar në të gjitha rajonet e Zvicrës, por veçanërisht të prekura janë Jura, si dhe pjesët lindore dhe perëndimore të Rrafshnaltës zvicerane.
“Bujqësia është goditur rëndë nga thatësira”, ka deklaruar Hofer gjatë një takimi të organizuar në Wittinsburg, në kantonin Basel-Landschaft, ku autoritetet prezantuan situatën dhe disa nga masat që po ndërmerren, transmeton albinfo.ch.
Konfederata merr masa për të ndihmuar fermerët
Për të lehtësuar presionin mbi fermat, Konfederata ka vendosur të përshpejtojë pagesat direkte për ndërmarrjet bujqësore.
Nga 1 gushti janë hequr gjithashtu tarifat doganore për importimin e sanës, ndërsa nga 15 gushti do të ulen tarifat e importit për misrin që përdoret si ushqim për kafshët.
Që nga viti 2025, Konfederata mbulon gjithashtu 30 për qind të primeve të sigurimit të të korrave, si një mënyrë për të ndihmuar fermerët të përballojnë më mirë humbjet nga kushtet ekstreme të motit.
Megjithatë, sipas Hoferit, në planin afatgjatë problemi nuk mund të zgjidhet vetëm me ndihmë financiare. Fermat duhet të investojnë në sisteme më të mira të ujitjes, varietete bimore më rezistente dhe teknika të kultivimit që ruajnë më mirë ujin dhe tokën.
Vapa po shkakton stres të madh te kafshët
Pasojat e temperaturave të larta po ndihen fuqishëm edhe në blegtori.
Në fermën Zumbrunn në Wittinsburg, ku mbahen rreth 40 lopë të rritura dhe disa viça, kafshët po qëndrojnë pjesën më të madhe të kohës brenda stallës, ku përdoren ventilatorë të mëdhenj për freskim.
Kafshët që vuajnë më shumë nga temperaturat e larta freskohen me ujë dy ose tri herë në ditë.
Pavarësisht masave, fermerët thonë se sistemi imunitar i kafshëve dobësohet nga vapa, duke i bërë ato më të ndjeshme ndaj sëmundjeve infektive.
Fermerët po mbesin pa ushqim për bagëtinë
Një tjetër problem serioz është mungesa e ushqimit për kafshët.
Në fermën Zumbrunn, kullotat kanë mundur të kositen dy herë këtë vit me rendiment mesatar, por kositja e tretë e zakonshme nuk do të jetë e mundur. Kjo nënkupton humbje të plotë të prodhimit nga kositja e tretë.
Thatësira po pengon gjithashtu zhvillimin normal të kallinjve të misrit. Fermerët paralajmërojnë se rezervat e ushqimit po zvogëlohen me shpejtësi, ndërsa kërkesa në treg është aq e madhe sa furnizuesit po e kanë të vështirë t’u përgjigjen kërkesave.
Për fermat që tradicionalisht e kanë prodhuar vetë ushqimin për kafshët, situata paraqet një sfidë të madhe. Reduktimi i numrit të bagëtive do të ishte një goditje e rëndë ekonomike.
Investime për t’u përballur me thatësirat e ardhshme
Fermerët po përpiqen njëkohësisht të përshtaten me kushtet e reja klimatike. Ferma Zumbrunn ka ndërtuar një rezervuar për grumbullimin e ujit të shiut me kapacitet prej 300 mijë litrash dhe po investon në një stallë të re të pajisur me panele fotovoltaike.
Ferma është gjithashtu pjesë e projektit “Slow Water”, të kantoneve Basel-Landschaft dhe Lucern, i cili synon të zvogëlojë pasojat e fenomeneve ekstreme, si thatësirat dhe reshjet intensive.
Projekti synon që uji të qëndrojë më gjatë në tokë përmes metodave të ndryshme bujqësore, kanaleve të vogla, gardheve natyrore dhe mbjelljes së pemëve.
Thatësira aktuale po prek edhe prodhimin e qumështit dhe ka shkaktuar mungesë të ushqimit për kafshët në pjesë të ndryshme të vendit, duke rritur presionin ekonomik mbi fermerët zviceranë.
E-Diaspora
-
Takim B2B mes diasporës dhe Kosovës, për më shumë mundësi biznesi Takimi u zhvillua në Ferizaj, me mbështetjen financiare të Caritasit Zviceran përmes Projektit HOME... -
Vëllai i Dua Lipës po ndërton emrin e tij në muzikën elektronike -
Gjermani
Mbi 120 fluturime nga Gjermania drejt Kosovës vetëm brenda një jave -
Arijon Ibrahimoviq asiston për Bayernin në fitoren ndaj Aston Villas -
Zvicër
Admir Mehmedi emërohet në bordin sportiv të Winterthurit
Jeta në Austri
-
Gratë në Austri marrin rreth 40% më pak pension se burrat Këtë vit, Equal Pension Day në Austri shënohet më 9 gusht. Kjo datë simbolizon momentin kur... -
Vjenë: Vazhdon orari i zgjatur i pishinave -
Vjenë: 72-vjeçari dyshohet se kidnapoi dhe mbajti me dhunë një djalë 4-vjeçar -
Kosovë: Një jetë e re për qentë endacakë -
Kancelari austriak thotë se kujdesi për fëmijët nuk është punë












