Lajme

Kanguri që u shfaq në Zvicër mbetet një mister, askush nuk e di nga ka ardhur

Kafsha u pa në kantonin Aargau, por askush nuk ka raportuar humbjen e saj. Përpjekjet për ta kapur kanë dështuar.

Një kangur ka habitur banorët e kantonit Aargau, pasi është parë duke kërcyer lirshëm në zonën e Dietwil, një vend ku askush nuk do të priste të shihte një kafshë të tillë, përcjell albinfo.ch.

Fillimisht, dëshmitarët menduan se bëhej fjalë për një lepur gjigant, por më vonë u kuptua se ishte një kangur.

Sipas raportimeve, u bënë përpjekje për ta afruar duke përdorur tranguj, por kafsha nuk u ndal dhe u largua duke kërcyer.

Policia dhe rojtarët e faunës kontaktuan strehimore dhe qendra për kafshë në zonë për të mësuar nëse dikush kishte raportuar humbjen e një kanguri, por deri më tani askush nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Për momentin, origjina e kangurit mbetet një mister, ndërsa autoritetet vazhdojnë të kërkojnë informacione se nga mund të ketë ardhur kafsha./Albinfo.ch