Jeta në Zvicër

Tuneli rrugor i Gotthardit do të mbyllet për 12 net gjatë muajit gusht

Mbyllja do të bëhet vetëm gjatë natës për shkak të punimeve të mirëmbajtjes, ndërsa trafiku do të devijohet përmes rrugës së qafës së Gotthardit.

Tuneli rrugor i Gotthardit do të mbyllet për 12 net gjatë muajit gusht për shkak të punimeve të mirëmbajtjes, ka njoftuar Zyra Federale Zvicerane e Rrugëve (FEDRO/ASTRA), përcjell albinfo.ch.

Sipas autoriteteve, mbylljet do të zbatohen nga 10 deri më 27 gusht, nga e hëna deri të enjten, në intervalin 23:00 deri në 05:00. Gjatë fundjavës, të premten, të shtunën dhe të dielën, tuneli do të mbetet i hapur për qarkullim.

Gjatë orëve të mbylljes, automjetet do të devijohen përmes rrugës së Qafës së Gotthardit, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të planifikojnë udhëtimet e tyre paraprakisht, sidomos në periudhën e pushimeve verore kur fluksi i trafikut është më i madh.

Punimet kanë për qëllim mirëmbajtjen e infrastrukturës së tunelit dhe rritjen e sigurisë për përdoruesit. Tuneli rrugor i Gotthardit, me gjatësi rreth 17 kilometra, është një nga arteriet më të rëndësishme që lidh veriun me jugun e Zvicrës dhe përdoret çdo vit nga miliona udhëtarë.