Lajme

Fluturimet nga Aeroporti i Cyrihut kushtojnë më shtrenjtë për shkak të mungesës së konkurrencës

Analiza tregon se biletat në linjat ku dominon Grupi Lufthansa janë mesatarisht 31 për qind më të shtrenjta se në ato ku ka konkurrencë.

Pasagjerët që udhëtojnë nga Aeroporti i Cyrihut shpesh paguajnë çmime dukshëm më të larta për biletat e avionit, për shkak të dominimit të Grupit Lufthansa në shumë linja ajrore, transmeton albinfo.ch.

Sipas një analize të publikuar nga Handelszeitung, fluturimet në linjat ku Lufthansa dhe kompanitë e saj operojnë pa konkurrencë janë, mesatarisht, 31 për qind më të shtrenjta sesa ato ku është e pranishme edhe një kompani tjetër ajrore.

Shembulli më i theksuar është linja Vjenë–Cyrih, e cila operohet vetëm nga Austrian Airlines, pjesë e Grupit Lufthansa. Një biletë në klasën ekonomike mund të kushtojë deri në 945 franga zvicerane, më shumë se dyfishi i çmimit të një fluturimi rreth 10-orësh drejt Bangkokut.

Në të kundërt, linja Cyrih–Romë, ku SWISS përballet me konkurrencën e ITA Airways dhe EasyJet, ofron çmime dukshëm më të ulëta.

Në total, Grupi Lufthansa operon 90 linja pa konkurrencë drejt ose nga Zvicra. Në Aeroportin e Cyrihut ai kontrollon rreth 63 për qind të fluturimeve, ndërsa në Gjenevë kjo përqindje është vetëm 13 për qind, falë konkurrencës më të fortë nga EasyJet. /Albinfo.ch