Kosova

Abdixhiku: Po bëjmë përpjekje për t’i shmangur zgjedhjet e reja

Abdixhiku: Takimi me Kurtin ishte konstruktiv, diskutimet do të vazhdojnë

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të zhvillojnë edhe sonte një takim tjetër në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe zhbllokimin e situatës institucionale në vend, përcjell albinfo.ch.

Takimi vjen pas bisedës së zhvilluar një ditë më parë mes dy liderëve, të cilën Abdixhiku e përshkroi si konstruktive dhe të zhvilluar në një frymë të mirë.

Pas takimit të djeshëm, kreu i LDK-së deklaroi se partia e tij kishte marrë pjesë në bisedime me vullnet të mirë dhe me synimin për t’i shmangur zgjedhjet e reja, duke theksuar se kjo është në interes të qytetarëve dhe të shtetit.

“Morëm pjesë në takim me respektim të rezultatit zgjedhor dhe me gatishmërinë si LDK për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Do të përpiqemi edhe në ditët në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore”, kishte deklaruar Abdixhiku.

Ai kishte ritheksuar se LDK-ja mbetet në qëndrimet e saj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila, sipas tij, duhet të garantojë balancë institucionale dhe demokratike, si dhe përfaqësim të denjë të LDK-së në institucionet e ardhshme.

Takimi i sontëm pritet të jetë vendimtar për të parë nëse palët do të afrojnë qëndrimet dhe do të arrijnë një marrëveshje politike që do t’i hapte rrugë konstituimit të institucioneve të reja, apo nëse vendi do të vazhdojë të mbetet në ngërç politik me mundësinë e zgjedhjeve të reja.