Lajme
Sulm kibernetik masiv në Lihtenshtajn, vidhen të dhënat e 31 mijë subjekteve
Një sulm i sofistikuar kibernetik ka goditur javën e kaluar Regjistrin e Përfituesve Efektivë të Zyrës së Drejtësisë në Lihtenshtajn. Hakerët kanë arritur të vjedhin të dhëna për rreth 31 mijë kompani, fondacione dhe truste të regjistruara në vend.
Autorët e sulmit ende nuk janë identifikuar, ndërsa autoritetet e Lihtenshtajnit nuk përjashtojnë mundësinë që pas këtij veprimi të jetë një aktor shtetëror.
Sipas hetimeve fillestare, sulmi ka qenë i kufizuar vetëm në regjistrin përkatës dhe nuk ka prekur serverët shtetërorë apo sisteme të tjera qeveritare. Autoritetet e përshkruan ndërhyrjen si një sulm të synuar, me nivel të lartë teknik, ndaj një infrastrukture komplekse sigurie.
Si masë parandaluese, disa sisteme të tjera që përmbajnë të dhëna të ndjeshme, përfshirë regjistrin qendror të llogarive dhe sistemin qendror tatimor, janë nxjerrë përkohësisht jashtë funksionit për kontrolle shtesë të sigurisë.
Kryeministrja e Lihtenshtajnit, Brigitte Haas, drejton një ekip krize të ngritur të shtunën, i cili po punon për të zbardhur sa më shpejt rrethanat e sulmit të kryer mes natës së së mërkurës dhe të enjtes.
Zyra e Drejtësisë ka paraqitur kallëzim penal ndaj personave të panjohur. Analiza e gjurmëve digjitale po vazhdon në bashkëpunim me autoritetet evropiane, përfshirë edhe ato zvicerane.
Çfarë të dhënash janë vjedhur?
Të dhënat e marra nga hakerët përfshijnë emrat e subjekteve juridike, si dhe emrat, datat e lindjes, kombësitë dhe vendet e banimit të pronarëve përfitues.
Sipas autoriteteve, nuk janë përfshirë adresat, numrat e telefonit apo të dhënat financiare si të ardhurat, pasuritë ose dividendët.
Ende nuk dihet se sa pjesë e këtyre të dhënave lidhet me persona ose subjekte nga Zvicra, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Regjistri kundër pastrimit të parave
Regjistri i sulmuar u krijua në prill të vitit 2021 me qëllim luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ai përmban informacion mbi personat që kontrollojnë realisht kompanitë, fondacionet dhe trustet e regjistruara në principatë.
“Ne e krijuam këtë regjistër në koordinim me partnerët tanë evropianë dhe për zbatimin e direktivës së pestë evropiane kundër pastrimit të parave”, deklaroi kryeministrja Brigitte Haas. Ajo shtoi se sulmi ndaj këtij sistemi është gjithashtu një sulm ndaj standardeve ndërkombëtare.
Hapet qendër informimi për të prekurit
Autoritetet kanë ngritur një qendër informimi për personat dhe subjektet që mund të jenë prekur nga rrjedhja e të dhënave. Qëllimi i saj është të ofrojë ndihmë të personalizuar duke respektuar rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale.
Sulmi kibernetik pritet të ndikojë në imazhin e qendrës financiare të Lihtenshtajnit dhe shihet gjithashtu si një paralajmërim për Zvicrën, e cila planifikon të krijojë një regjistër të ngjashëm këtë vjeshtë.
E-Diaspora
-
22-vjeçari nga Kosova kërkohet nga policia gjermane pas sulmit me thikë ku vdiq një 15-vjeçar Një 23-vjeçar grek është gjithashtu në kërkim lidhur me ngjarjen në Marsberg-Essentho, ku një tjetër 18-vjeçar... -
Fondacioni “Bajrije Ljama”, mbështetje konkrete për studentët në Maqedoninë e Veriut -
Më 25 shtator 2026, grupi “Minatori” do të performojë live në Zvicër -
“Jo në emrin tim”, shqiptarët mblidhen për protestën e 27 shtatorit në Gjenevë -
Ansambli “Trojet” organizon mbrëmje festive për 28 Nëntorin në Winterthur
Jeta në Austri
-
Në Austri ndryshojnë kufijtë e tatimit, punëtorëve mund t’u rritet paga neto Nga 1 janari 2027, kufijtë e kategorive të tatimit mbi të ardhurat do të rriten me... -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje










