Lajme

Zvicra e para në Evropë për përdorimin e inteligjencës artificiale në vendin e punës

Gati gjysma e punonjësve në Zvicër përdorin çdo ditë mjete të AI-së, pothuajse dy herë më shumë se mesatarja evropiane.

Punonjësit në Zvicër janë ndër përdoruesit më aktivë të inteligjencës artificiale (AI) në vendin e punës krahasuar me vendet e tjera evropiane, përcjell albinfo.ch.

Kjo është ajo që tregon një studim i ri i kompanisë konsulente Accenture, sipas të cilit 49 për qind e të punësuarve në Zvicër përdorin mjete të inteligjencës artificiale çdo ditë – pothuajse dy herë më shumë se mesatarja evropiane.

Studimi vë në pah gjithashtu se punëdhënësit në Zvicër ofrojnë qasje në teknologjitë e AI-së në një nivel shumë më të lartë se mesatarja ndërkombëtare. Sipas të dhënave, 88 për qind e punonjësve në Zvicër kanë qasje në këto mjete nga punëdhënësit e tyre, krahasuar me 80 për qind në nivel ndërkombëtar.

Rezultatet tregojnë se bizneset zvicerane po e integrojnë gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale në proceset e përditshme të punës, duke e vendosur Zvicrën në mesin e vendeve më të avancuara në Evropë sa i përket përdorimit të kësaj teknologjie. /Albinfo.ch