Lajme

Evropa koordinon luftën kundër zjarreve që po përfshijnë kontinentin

Zjarret e mëdha që kanë përfshirë jugperëndimin e Francës dhe Spanjën kanë vënë në lëvizje mekanizmin evropian të solidaritetit, me disa shtete që kanë angazhuar avionë zjarrfikës, helikopterë dhe ekipe emergjente për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.

Nga Brukseli, Qendra Evropiane për Koordinimin e Reagimit ndaj Emergjencave (ERCC) po monitoron situatën në kohë reale dhe po shpërndan burimet e disponueshme sipas nevojave të vendeve të prekura.

“Ekipi ynë po ndjek nga afër zhvillimet në Francë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze për të përcaktuar nëse nevojiten burime shtesë,” deklaroi për AFP drejtuesja e qendrës, Maria Zuber.

Ndihma nga disa vende evropiane

Në mesin e mjeteve ajrore të angazhuara për të luftuar zjarrin në rajonin francez të Girondës janë avionë zjarrfikës nga Sllovakia, Sllovenia, Portugalia dhe Turqia.

“Ende kemi disa boshllëqe për të plotësuar dhe po vazhdojmë kërkimin për kapacitete shtesë. Mbrëmë edhe Serbia ofroi helikopterë të tjerë,” tha Zuber.

Qendra Evropiane koordinon burimet e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe të dhjetë shteteve partnere, përfshirë Turqinë. Kur ndodh një fatkeqësi – qoftë zjarr pyjor në Francë apo tërmet në një vend tjetër – ekspertët në Bruksel organizojnë shpërndarjen e ndihmës sipas kërkesave të autoriteteve kombëtare.

Verë gjithnjë e më e rrezikshme

Zjarret në Francë dhe Spanjë janë vetëm episodet më të fundit të një sezoni gjithnjë e më të rrezikshëm për Evropën. Temperaturat ekstreme të këtij viti kanë tharë bimësinë, e cila ishte rritur ndjeshëm pas periudhave më të lagështa, duke krijuar kushte ideale për përhapjen e zjarreve.

Përballë kësaj sfide të përsëritur, Bashkimi Evropian po forcon gradualisht kapacitetet e tij. Përveç blerjes së avionëve të vet zjarrfikës, Brukseli po inkurajon shtetet pjesëmarrëse të mbajnë më shumë mjete dhe personel në gatishmëri.

Gatishmëri 24 orë në ditë

Qendra e Koordinimit të Emergjencave funksionon pa ndërprerje, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, duke monitoruar situatat e krizës në mbarë botën.

Gjatë muajve të verës, ekipet përforcohen nga rreth 25 ekspertë të meteorologjisë dhe specialistë të zjarreve pyjore nga vendet anëtare të BE-së. Ata analizojnë zhvillimin e vatrave të zjarrit dhe parashikojnë zonat me rrezikun më të lartë.

“Me kalimin e viteve kemi përmirësuar mekanizmat tanë, sepse kemi parë se zjarret pyjore janë bërë një sfidë gjithnjë e më e madhe. Kemi rritur disponueshmërinë e mjeteve ajrore dhe kemi forcuar kapacitetet teknike të ekipit për menaxhimin e emergjencave,” tha zëvendësdrejtuesi i qendrës, Borja Miguelez.

Megjithëse zjarret e njëkohshme në Francë dhe Spanjë po ushtrojnë presion të madh mbi burimet dhe ekipet në terren, Miguelez theksoi se Bashkimi Evropian ka arritur deri tani t’u përgjigjet të gjitha kërkesave për ndihmë.

“Megjithatë, mbetemi në gatishmëri të lartë, sepse vera ende nuk ka përfunduar. Një valë e re të nxehti pritet të godasë Evropën dhe kjo mund të përkeqësojë më tej situatën,” paralajmëroi ai.