Lajme

Tërmeti i fuqishëm në Japoni merr të paktën 13 jetë, vazhdojnë kërkimet nën rrënoja

Lëkundja me magnitudë 6.8 ballë shkaktoi dëme të mëdha në prefekturën Kumamoto, ndërsa mijëra ushtarë janë angazhuar në operacionet e shpëtimit

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit me magnitudë 6.8 ballë që goditi prefekturën jugore Kumamoto në Japoni, përcjell albinfo.ch.

Lajmin e konfirmoi të mërkurën kryeministrja japoneze Sanae Takaichi, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet, pasi operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në zhvillim.

Sipas raportimeve të transmetuesit publik NHK, tërmeti ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, duke lënë dhjetëra persona të bllokuar nën rrënoja. Një qendër tregtare është shembur pjesërisht, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë pa ndërprerje për të shpëtuar të mbijetuarit.

Autoritetet kanë bërë të ditur se disa persona rezultojnë ende të zhdukur në një fabrikë letre, ndërsa një urë e autostradës është shembur si pasojë e lëkundjeve të forta sizmike, duke vështirësuar qasjen në zonat e prekura.

Në përgjigje të situatës, qeveria japoneze ka mobilizuar mijëra pjesëtarë të forcave ushtarake për të përshpejtuar operacionet e kërkim-shpëtimit, si dhe për shpërndarjen e ndihmave humanitare në rajonet e goditura nga tërmeti.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë, pasi ekziston rreziku i pasgoditjeve të tjera në orët dhe ditët në vijim./Albinfo.ch