Lajme

Arrestohen tre persona në Itali për trafik kokaine, mes tyre edhe një shqiptar

Tre persona kanë përfunduar në pranga gjatë një operacioni të zhvilluar nga policia italiane kundër trafikut të lëndëve narkotike. Në mesin e të arrestuarve ndodhet edhe një shtetas shqiptar.

Sipas hetimeve të zhvilluara nga Skuadra Mobile, shqiptari dyshohet se kishte udhëtuar nga Parma drejt Palombara Sabina, në zonën metropolitane të Romës, për të realizuar një marrëveshje që lidhej me shitblerjen e kokainës.

Gjatë aksionit, autoritetet zbuluan një laborator të improvizuar për përpunimin dhe paketimin e kokainës. Po ashtu, u sekuestrua një automjet i pajisur me një ndarje të fshehtë, e krijuar posaçërisht për transportimin e rreth një kilogrami kokainë.

Policia ndërhyri në një zonë rurale të izoluar, ku të dyshuarit u gjetën brenda një banese. Sipas raportimit të A2, të tre personat, përfshirë edhe shtetasin shqiptar, u arrestuan nën dyshimet për përfshirje në trafikimin e lëndëve narkotike.