Lajme

Alarm i kuq në Spanjë, temperaturat pritet të arrijnë deri në 44°C

Zyra Meteorologjike e Spanjës (AEMET) ka aktivizuar alarmin e kuq për shkak të valës së fortë të të nxehtit që pritet të prekë disa pjesë të vendit deri të dielën.

Paralajmërimi përfshin zona në jugperëndim dhe qendër të Spanjës, si dhe Ishujt Kanarie, ku temperaturat pritet të rriten ndjeshëm gjatë ditëve në vijim.

Sipas parashikimeve, përforcimi i presionit të lartë atmosferik do të sjellë mot të kthjellët dhe rritje të vazhdueshme të temperaturave. Deri të mërkurën, ato pritet të lëvizin nga 39 deri në 41 gradë Celsius, ndërsa më vonë gjatë javës mund të shënojnë nivele edhe më të larta.

Në disa lugina, përfshirë Guadalquivir, Guadiana dhe Ebro, temperaturat do të kalojnë 40 gradë Celsius për disa ditë radhazi.

Dita më e nxehtë pritet të jetë e premtja, kur në Kordobë termometri mund të arrijë deri në 44 gradë Celsius. Ndërkohë, qytete si Toledo, Zaragoza dhe Ciudad Real parashikohet të përballen me temperatura rreth 42 gradë Celsius.