Lajme

Tërmet 4.1 ballë në Itali, banorët dalin në rrugë nga frika

Lëkundjet u ndjenë në disa provinca, ndërsa deri më tani nuk raportohen dëme apo të lënduar.

Një tërmet me magnitudë 4.1 ballë është regjistruar pak pas mesnatës në Itali, me epiqendër në Pizzone, një komunë në provincën e Isernias, në kufirin mes rajoneve Abruzzo dhe Lazio, transmeton albinfo.ch.

Lëkundjet sizmike, të cilat zgjatën disa sekonda, u ndjenë në një zonë të gjerë, përfshirë provincat Isernia, Chieti, L’Aquila dhe Caserta.

Sipas mediave italiane, shumë banorë dolën jashtë banesave të tyre nga frika menjëherë pas tërmetit.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar./Albinfo.ch