Më 21 korrik 1969, sipas kohës së Evropës Qendrore, Neil Armstrong u bë njeriu i parë që hodhi hapat në Hënë gjatë misionit historik Apollo 11. Pak njerëz e dinë se edhe Zvicra pati një rol të rëndësishëm në këtë arritje që ndryshoi historinë e eksplorimit hapësinor, përcjell albinfo.ch.
Kompania zvicerane Kern & Co. AG nga Aarau prodhoi lentet që u instaluan në kamerat 16 mm të kompanisë Maurer, të përdorura gjatë misionit Apollo 11. Njëra prej kamerave regjistroi zbritjen e modulit hënor “Eagle”, ndërsa tjetra filmoi me ngjyra uljen në Hënë dhe aktivitetet e astronautëve në sipërfaqen hënore.
Pas misionit, Neil Armstrong e mbajti një nga këto kamera në koleksionin e tij personal për më shumë se 40 vjet. Ajo u rizbulua nga bashkëshortja e tij, Carol Armstrong, në vitin 2015 dhe sot ruhet në Smithsonian National Air and Space Museum në Shtetet e Bashkuara.
Kontributi zviceran nuk u kufizua vetëm te pajisjet filmike. Profesori Johannes Geiss dhe ekipi i tij në Universitetin e Bernës zhvilluan eksperimentin Solar Wind Composition Experiment, një fletë alumini e projektuar për të mbledhur grimcat e erës diellore.
Eksperimenti u vendos në sipërfaqen e Hënës nga astronauti Buzz Aldrin dhe shërbeu për studimin e përbërjes së erës diellore, duke shënuar një tjetër kontribut të rëndësishëm të Zvicrës në një nga misionet më të famshme të historisë së njerëzimit./Albinfo.ch