Lajme

Roboti zviceran që mund të ndryshojë të ardhmen e stomatologjisë

MIR, roboti zviceran që hap një epokë të re në trajtimet dentare

Një teknologji e re e zhvilluar në Zvicër mund të ndryshojë mënyrën se si kryhen disa ndërhyrje dentare në të ardhmen. Studiues nga Universiteti i Bazelit dhe Universiteti i Cyrihut kanë krijuar një robot të vogël dentar, i cili është në gjendje të përgatisë dhëmbët për vendosjen e kurorave në mënyrë të automatizuar, transmeton albinfo.ch.

Roboti, i quajtur MIR, kryen procesin e shpimit të dhëmbit, një hap që zakonisht kërkon precizion të lartë nga stomatologu. Sipas studiuesve, testet fillestare në modele të krijuara nga rrëshira sintetike dhe qeramika e fortë kanë treguar rezultate shumë premtuese.

“Ndihmësi mekanik” ka demonstruar aftësi të jashtëzakonshme dhe saktësi të lartë gjatë punës, duke hapur mundësi të reja për përdorimin e robotikës në stomatologji.

Zhvilluesit besojnë se kjo teknologji mund të ndihmojë në rritjen e saktësisë së trajtimeve dentare, në uljen e ngarkesës së punës për dentistët dhe në përmirësimin e rezultateve për pacientët.

Megjithatë, para se robotët dentarë të përdoren gjerësisht në klinika, nevojiten teste të mëtejshme dhe vlerësime të hollësishme për sigurinë dhe efikasitetin e tyre. /Albinfo.ch