Një tjetër futbollist i ri shqiptar ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Erion Saiti është transferuar zyrtarisht te klubi gjerman TSV München 1860, ku do të vazhdojë zhvillimin e tij futbollistik, transmeton albinfo.ch.
Saiti, i lindur më 26 maj 2010, është me prejardhje nga fshati Orizare i Komunës së Likovës dhe konsiderohet një prej talenteve premtuese të brezit të tij.
Rrugëtimi i tij në futboll nisi në vitin 2016 me skuadrën SC Unterpfaffenhofen, ndërsa më pas vazhdoi te Kirchheimer SC, ku me paraqitjet e tij të mira tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të TSV München 1860.
Mesfushori ofensiv dallohet për aftësinë për të luajtur me të dyja këmbët, një cilësi që e bën të vlefshëm në repartin ofensiv.
Transferimi te TSV München 1860 përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierën e futbollistit të ri shqiptar dhe një mundësi të mirë për të vazhduar zhvillimin e tij në futbollin gjerman, në një mjedis me nivel të lartë konkurrues./Albinfo.ch.